Kërcënoi se do ta digjte spitalin, 31-vjeçarit i ndalohet hyrja për tre vjet

13:25 | 16 Korrik 2026
kercenoi-se-do-ta-digjte-spitalin,-31-vjecarit-i-ndalohet-hyrja-per-tre-vjet

Një 31-vjeçar është ndaluar të hyjë në një spital për tre vjet, pasi kishte bërë kërcënime të vazhdueshme ndaj stafit dhe kishte kërcënuar se do ta vinte zjarrin në objekt.

Andrew Stonier, 31 vjeç, u përshkrua nga autoritetet lokale si person që kishte ushtruar “abuzim serioz dhe kërcënime” ndaj punonjësve të Royal Oldham Hospital në Greater Manchester të Anglisë.

Këshilli i Oldhamit kërkoi ndaj tij një urdhër për sjellje kriminale, me qëllim mbrojtjen e stafit të Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS). Ky urdhër do të jetë në fuqi deri në qershor të vitit 2029, shkruan Mirror.

Sipas autoriteteve, vendimi i gjykatës erdhi pas një serie incidentesh, gjatë të cilave Stonier kishte kërcënuar vazhdimisht infermierë dhe punonjës të spitalit, përfshirë edhe kërcënime për t’i vënë zjarrin ndërtesës.

“Kjo sjellje shkaktoi shqetësime të mëdha, pasi stafi kalonte orë të tëra duke u marrë me të, duke humbur kohë dhe burime të rëndësishme që duhej t’u kushtoheshin pacientëve”, deklaroi Këshilli i Oldhamit.

Sipas urdhrit të gjykatës, Stonier nuk lejohet të hyjë në Royal Oldham Hospital, përfshirë repartet, zonat klinike, urgjencën dhe shërbimet ambulatore, deri më 28 qershor 2029.

Ai mund të hyjë në spital vetëm në raste të caktuara, si për një kontroll të planifikuar paraprakisht ose nëse ka nevojë për trajtim urgjent mjekësor. Në rast të shkeljes së urdhrit, ai përballet me arrestim.

Gjykata ka përcaktuar gjithashtu se, në rastet e vizitave të planifikuara, ai duhet të largohet nga spitali brenda 30 minutash para ose pas përfundimit të takimit.

Komento: