
Për herë të parë që nga protestat e verës së kaluar në mbështetje të institucioneve kundër korrupsionit, qytetarët ukrainas janë mobilizuar për të protestuar kundër shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov.
Thirrjet për protestë u përhapën në rrjetet sociale menjëherë pasi presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi të mërkurën në mbrëmje shkarkimin e Fedorovit.
Brenda pak orësh, reagimet në internet u shndërruan në thirrje për tubime në disa qytete të Ukrainës, të planifikuara për të enjten në orën 09:01, menjëherë pas minutës së përditshme të heshtjes në nderim të ushtarëve dhe civilëve të vrarë gjatë luftës.
Ky është mobilizimi i parë i madh qytetar që nga protestat e verës së kaluar, kur ukrainasit dolën në rrugë për të mbështetur institucionet kundër korrupsionit, ndërsa këtë herë zemërimi është drejtuar ndaj vendimit të Zelenskyt për largimin e Fedorovit.
Veterani i luftës, Dmytro Koziatynskyi, një nga organizatorët kryesorë të protestave të vitit të kaluar, kritikoi ashpër vendimin, duke thënë se ministri po largohet në mes të reformave që, sipas tij, më në fund po jepnin rezultate.
Ai shprehu shqetësimin se pasuesi i mundshëm, ministri i Brendshëm Ihor Klymenko, mund të pengojë vazhdimin e reformave.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kujdesen për vendin të dalin nesër në orën 09:01 në Sheshin Franko dhe t’i tregojnë presidentit se jemi kundër ndryshimeve të vazhdueshme në qeveri dhe zëvendësimit të ministrave efektivë me njerëz të përshtatshëm politikisht”, shkroi ai.
Sipas tij, Ukraina nuk mund ta mposhtë Rusinë përderisa korrupsioni dhe stagnimi vazhdojnë të dominojnë ushtrinë dhe institucionet shtetërore.
Ndërkohë, zëvendëskomandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, Pavlo Yelizarov, njoftoi dorëheqjen e tij më 16 korrik, duke argumentuar se largimi i Fedorovit, i cili kishte prioritet reformimin e mbrojtjes ajrore, do të sillte më shumë viktima dhe shkatërrime nga sulmet ruse me raketa dhe dronë.
“Besoj se largimi i Mykhailo Fedorovit është një e keqe e madhe për aftësinë mbrojtëse të vendit”, shkroi ai në Facebook, duke publikuar edhe letrën e dorëheqjes.
Edhe figura të tjera të njohura nga ushtria dhe shoqëria civile iu bashkuan kritikave. Aktivisti dhe blogeri Serhii Sternenko, i cili ka qenë këshilltar i Fedorovit për luftën me dronë, e cilësoi atë si “ministrin më të mirë të Mbrojtjes në historinë e Ukrainës”, ndërsa shkarkimin e tij e quajti “demoralizimin më të madh që nga fillimi i luftës”, shkruan Euronews.