
Vëllai i Gjyljeta Ukellës, Shpati, ka reaguar pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Supreme për Edmond Lajçin.
“Nuk deklarohemi më për media. Prej këtij momenti, heqim dore nga drejtësia”, është shprehur ai.
Edmond Lajçi, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Gjyljeta Ukella, është dënuar me 30 vjet burgim nga Gjykata Supreme.
Gjykata Supreme ka ndryshuar vendimin ndaj Edmond Lajçiq, duke e dënuar atë me 30 vjet burgim, pasi që i njëjti, më herët ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas.
Në njoftim thuhet se Supremja, ka konstatuar se gjykatat e instancave më të ulëta kanë vërtetuar drejt gjendjen juridike lidhur me fajësinë e të pandehurit dhe cilësimin juridik të veprave penale, ndërsa nuk ka gjetur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkelje të ligjit penal në këtë aspekt.
Lajçi ishte i akuzuar se më 16 prill të vitit 2024, rreth orës 8:00 të mëngjesit, në banesën e tij në Pejë, e ka privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij, viktimën Gjyljeta Ukella, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i pandehuri kishte pasur me viktimën, duke i ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike me herët.
Kurse, ditën kritike, Lajçi kishte shtënë një herë me armë zjarri në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës dhe si pasojë e kësaj të shtëne është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës.
Atë ditë, ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe ishte paraqitur në Stacionin Policor të Pejës, ku vetë kishte njoftuar se “e vrava gruan”.