Abdixhiku para 327 delegatëve: Nuk kam marrë asnjë vendim duke menduar për veten

19:00 | 30 Korrik 2026
abdixhiku-para-327-delegateve:-nuk-kam-marre-asnje-vendim-duke-menduar-per-veten

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Lumir Abdixhiku, po mban  fjalimin hyrës para 327 delegatëve në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të partisë, në një moment kur po përballet me votëbesimin për vazhdimin e mandatit të tij në krye të LDK-së.

Abdixhiku tha se kjo ditë është e vështirë për të, jo për shkak të pozitës së kryetarit, por për shkak të përballjes me njerëz me të cilët ka ndarë një rrugëtim të përbashkët politik.

“Kjo shtëpi politike ka qenë familja ime. Si prijës i saj kam mbrojtur familjen time”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai theksoi se rruga e tij në LDK nuk është bërë i vetëm, por së bashku me shumë prej njerëzve që sot kanë kërkuar mbajtjen e këtij kuvendi.

“Këtë rrugë nuk e kam bërë vetëm, e kam bërë bashkë me ju dhe me disa prej tyre që sot e kanë kërkuar këtë Kuvend. Sot mund të kemi dallime të thella, por ato nuk mund ta fshijnë rrugën që kemi bërë së bashku”, tha ai.

Abdixhiku u shpreh se e ka ditur që pozita e kryetarit të LDK-së nuk është e përhershme dhe se gjatë mandatit të tij ka përjetuar si suksese, ashtu edhe humbje.

“E kam ditur që karriga nuk më përkiste përjetësisht. Kam përjetuar çdo sukses dhe çdo humbje”, tha ai.

Kreu i LDK-së tha se nuk ka marrë asnjë vendim duke vendosur interesin personal para interesit të partisë.

“S’kam qenë as i përkryer, as i pagabueshëm. Kam marrë vendime që mund të merreshin ndryshe. Por asnjë vendim, asnjë veprim dhe asnjë sjellje nuk e kam bërë duke menduar për veten para LDK-së”, u shpreh Abdixhiku.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së do të vendosë përmes votimit të fshehtë nëse Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë partinë apo nëse do të hapet procesi për zgjedhjen e një drejtimi të ri. Nga atje po raporton gazetari i televizionit Kanal10, Zeqir Hasani.

Komento: