AMORIM SHOKON MILANIN: “DO TË MARRIM VENDIME!” Disa lojtarë në rrezik

18:11 | 08 Gusht 2026

Trajneri i AC Milan, Ruben Amorim, ka pranuar se skuadra e tij e kishte të vështirë përballjen ndaj Chelsea-t, ndërsa paralajmëroi se gjatë kësaj jave do të merren vendime të rëndësishme për të ardhmen e disa lojtarëve.

Pas sinjaleve pozitive në dy miqësoret e para të verës ndaj Celtic dhe Inter, AC Milan pësoi një humbje të thellë 3-0 ndaj Chelsea-t në Xhakartë, në një ndeshje ku kuqezinjtë zhgënjyen me paraqitjen e tyre.

Joao Pedro shënoi pak para dhe pak pas pushimit, duke i dhënë Chelsea-t një avantazh të rëndësishëm, ndërsa Moises Caicedo vulosi fitoren me një goditje të bukur nga volej vetëm pak minuta më vonë.

Një tjetër statistikë shqetësuese për Milanin ishte fakti se skuadra nuk arriti të regjistrojë asnjë goditje në kuadrat gjatë gjithë takimit, përcjell ORAinfo.

Amorim: E dinim se do të vuanim

Pas përfundimit të ndeshjes, Amorim foli për Sky dhe pranoi se skuadra e tij e kishte të parashikuar një sfidë të vështirë ndaj Chelsea-t.

“E dinim se do të kishim pak vështirësi, por ne duam t’u ofrojmë lojtarëve tanë pikërisht këto lloj sfidash. Ata duhet të dinë të mbrohen si skuadër, të luajnë një kundër një dhe të bëjnë presion të lartë”, deklaroi trajneri.

Amorim theksoi gjithashtu se mënyra e lojës së përdorur ndaj Chelsea-t nuk do të jetë domosdoshmërisht ajo që Milani do të aplikojë në ndeshjet zyrtare.

“Ne nuk do të bëjmë gjithmonë presion në këtë mënyrë ndaj skuadrave si Chelsea. Jemi këtu për t’u përgatitur që të fitojmë ndeshjen e parë zyrtare të sezonit dhe t’u japim lojtarëve tanë besim.”

Paralajmërohen vendime për lojtarët

Në fund, Amorim la të kuptohet se humbja ndaj Chelsea-t do të ndikojë edhe në vendimet që klubi do të marrë për përbërjen e skuadrës.

“Po, sigurisht. Do të marrim disa vendime për lojtarët tanë. Këto dy javë kanë qenë shumë pozitive, por kemi një skuadër të madhe. Duhet të zgjedhim disa lojtarë dhe do t’i marrim këto vendime gjatë kësaj jave”, përfundoi Amorim.

Deklaratat e trajnerit pritet të shtojnë spekulimet për të ardhmen e disa futbollistëve të Milanit, ndërsa klubi hyn në një fazë vendimtare të përgatitjeve për sezonin e ri. /ORAinfo/

Komento: