
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duket se i ka dhënë një mundësi planit të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump për çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.
Sipas disa burimeve, Netanyahu i ka thënë Jared Kushnerit se është i gatshëm ta shqyrtojë planin për çarmatimin e Hamasit. Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) raportohet se po tërhiqen drejt të ashtuquajturës “Vija e Verdhë”.
Lajmi është publikuar nga Jerusalem Post, i cili i referohet zhvillimeve të fundit në kuadër të përpjekjeve për një marrëveshje lidhur me Gazën.
Megjithatë, qëndrimi publik i Netanyahut ka qenë ndryshe. Gjatë ditës së djeshme, kryeministri izraelit e kishte refuzuar dokumentin e propozuar nga “Bordi i Paqes”, duke mos dhënë mbështetje publike për planin dhe duke këmbëngulur se nuk do të ketë shtet palestinez sa ai të jetë kryeministër as në Gaza dhe as në Bregun Perëndimor.
Një zyrtar amerikan i ka thënë ndërkohë Axios se Shtëpia e Bardhë nuk është e shqetësuar nga deklaratat publike të Netanyahut.
“Shtëpia e Bardhë nuk është e shqetësuar nga ajo që thotë Netanyahu”, citohet të ketë thënë zyrtari amerikan.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur administrata amerikane po përpiqet të avancojë një plan për përfundimin e konfliktit në Gaza, përfshirë çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e forcave izraelite.