
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës njoftoi dje se deputetët e saj do të paraqiten sot, më 12 gusht, në orën 11:00, pavarësisht nëse kryesuesi i seancës konstituive sipas moshës, Avni Dehari, do ta thërrasë apo jo vazhdimin e seancës.
PDK-ja i është drejtuar Deharit edhe me kërkesë zyrtare që ta thërrasë seancën, duke argumentuar se, edhe pse ka skaduar afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, detyrimi për përfundimin e këtij procesi mbetet.
“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në kërkesën e PDK-së.
Sipas kësaj partie, në orën 11:00 përfundon edhe 48-orëshi i dytë për vazhdimin e seancës, siç përcaktohet me Rregulloren e Kuvendit.
PDK-ja u ka bërë thirrje edhe grupeve të tjera parlamentare dhe deputetëve të zgjedhur që të jenë sot në sallën e Kuvendit, me qëllim që të dëshmojnë gatishmërinë për përfundimin e procesit të konstituimit.
Ndërkohë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka deklaruar se pa një marrëveshje politike mes partive nuk ka arsye që të thirret vazhdimi i seancës.
Konstituimi i legjislaturës së 11-të ka mbetur i papërfunduar edhe pas skadimit të afatit kushtetues më 7 gusht.
Kuvendi ende nuk ka zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët, ndërsa LVV-ja ka insistuar se fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve të reja.
