Komandanti i FSK-së pret në takim Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës së Ajovës, diskutojnë për situatën e sigurisë

09:50 | 12 Gusht 2026
komandanti-i-fsk-se-pret-ne-takim-agjutantin-e-pergjithshem-te-gardes-se-ajoves,-diskutojne-per-situaten-e-sigurise

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Gjeneral Major Stephen E. Osborn, Adjutant i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës.

Gjatë takimit, Gjeneral Jashari e ka falënderuar Gjeneralin Osborn për vizitën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti të qëndrueshëm në zhvillimin profesional dhe operacional të FSK-së.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm, projektet dhe aktivitetet e përbashkëta, si dhe për mundësitë e avancimit të mëtejshëm të partneritetit ndërmjet dy forcave. Po ashtu, u shkëmbyen qëndrime lidhur me zhvillimet aktuale të sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet partnerëve.

Gjatë kësaj vizite, Gjeneral Major Osborn ka vizituar edhe Njësinë e Operacioneve Speciale të FSK-së, ku është njohur nga afër me kapacitetet, zhvillimin dhe aktivitetet e kësaj njësie.

Në përfundim të takimit, Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen për Gjeneralin Osborn dhe Gardën Kombëtare të Ajovës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke vlerësuar lartë partneritetin e ndërtuar ndër vite dhe angazhimin e përbashkët për avansimin e bashkëpunimit në funksion të forcimit të paqes dhe sigurisë.

Komento: