Termokos: Po angazhohemi fuqimisht të realizojmë projektin “Solar 4Kosovo II”

16:55 | 13 Gusht 2026
termokos:-po-angazhohemi-fuqimisht-te-realizojme-projektin-“solar-4kosovo-ii”

Ndërmarrja Publike “Termokos”, nisur nga pretendimet e ngritura për tërheqjen e donatorëve ndërkombëtar nga projekti “Solar 4 Kosovo II”, ka sqaruar opinionin e gjerë, se në asnjë rast në takimet e rregullta me partnerët ndërkombëtarë, nuk është diskutuar tërheqja e fondeve të donatorëve nga realizimi i këtij projekti. Ndërkaq, “Termokos” deklaron se sa u përket çështjeve të ngritura janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura, që bashkëpunimi i nisur para më shumë se një dekade edhe me projekte tjera, të vazhdojë të kultivohet më tutje me partnerët ndërkombëtarë.

Për më tepër, NP “Termokos” projektin kapital “Solar 4Kosovo II” e konsideron si një nga projektet strategjike me potencial të jashtëzakonshëm zhvillimor për ndërmarrjen dhe modernizimin e sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë. Andaj, që nga faza ideore e deri tek hapat aktual të realizimit të tij, e ka trajtuar me prioritet secilën fazë të zhvillimit të tij dhe është angazhuar maksimalisht me të gjitha kapacitetet për realizimin e suksesshëm të këtij projekti.

NP “Termokos” siguron publikun se nuk do të lejojë, që për asnjë çmim dhe asnjë sfidë, sado e pakëpërcyeshme të duket ajo, që të pengohet realizimi i këtij projekti, e aq më pak të rrezikohet bashkëpunimi i frytshëm shumëvjeçar i ndërmarrjes me partnerët ndërkombëtar.

“Të gjitha çështjet e ngritura nga partnerët financiarë dhe konsulentët e projektit janë trajtuar me seriozitet dhe janë ndërmarrë veprime konkrete pë adresimin e tyre. Janë bërë rialokime në kuadër të Buxhetit të ndërmarrjes për trajtimiin e impiantit të degazifikimit, Bordi i Drejtorëve ka trajtuar me prioritet të veçantë ndryshimet e nevojshme në kontratën për shërbimet e konsulencës dhe ka kërkuar, që kjo çështje të adresohet pa vonesa.

Vlen të ceket një gjë shumë e rëndësishme, që asnjë nga çështjet e ngritura nuk ndikon apo cënon funksionimin e sistemit të ngrohjes qendrore, por janë ngritur si çështje që janë në funksion të rritjes së perfomancës dhe jetëgjatësisë së rrjetit të ngrohjes dhe përmirësimin e cilësisë së të dhënave në sistemin SCADA” thuhet në reagim.

Prioriteti i “Termokosit” pohohet se është që projekti të vazhdojë, obligimet institucionale të përmbushen dhe bashkëpunimi me KfW dhe partnerët e tjerë financiarë të ruhet dhe të fuqizohet, në interes të qytetarëve të Prishtinës dhe zhvillimit afatgjatë të sistemit të ngrohjes.

Në përgjithësi, NP “Termokos” i konsideron shqetësimet e ngritura si çështje që kërkojnë trajtim institucional, por jo si tregues se projekti ka dështuar. Përkundrazi, gjatë periudhës së fundit janë ndërmarrë vendime konkrete për adresimin e tyre dhe ndërmarrja mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit me sukses të projektit “Solar4Kosovo II” dhe përmbushjes së obligimeve ndaj partnerëve financiarë. Projekti ka arritur në fazë finale para fillimit të implementimit në terren. Faza parakualifikuese në përzgjedhjen e rrethit të ngushtë të kompanive dhe konzorciumeve ndërkombëtare thuajse ka përfunduar. Brenda vitit 2026 do të vazhdojë procedura për përzgjedhjen e kompanisë, e cila do të angazhohet për kryerjen er punimeve në terren. Të gjithë hapat e deritanishëm janë në koordinim të plotë me konsulentin implementues dhe me KfW-në, ku për çdo aktivitet paraprakisht merret pajtueshmëria nga KfW (sipas marrëveshjes ndërkombëtare). Ky projekt meriton përkrahjen e të gjithëve në Republikën e Kosovës, pa përjashtuar asnjë palë.

“Andaj, çdo përpjekje për politizim të këtij projekti vetëm mund ta dëmtojë, zvarrisë implementimin dhe të lëndojë raportet me partnerët ndërkombëtar.

Përkundrazi, ky projekt nga të gjithë akterët në Republikën e Kosovës do të duhej të cilësohej si krenari e Shtetit të Kosovës, arritje e jashtëzakonshme e sektorit energjetik dhe ngrohjes qendrore, pasi që Republika e Kosovës pati fatin të përkrahet nga partnerët ndërkombëtar në implementimin e këtij projekti, para shumë vendeve tjera, të cilat janë anëtare të BE-së, ndërsa ende nuk kanë arritur të implementojnë projekte të këtij niveli” thuhet tutje në reagim.

Pavarësisht, të gjitha sfiadave, që mund të paraqiten në këtë rrugëtim, NP “Termokos” pohon se do të vazhojë të hapërojë tutje në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar, në saje të mbështetjes së fuqishme dhe të pakursyer të tyre për realizimin e projekteve kapitale.

Komento: