Jasharaj nga SBASHK-u: Shpërndarja e teksteve po bëhet në mënyrë të gabuar, do të kemi telashe në vitin e ri shkollor

10:55 | 28 Gusht 2026

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka kritikuar mënyrën se si Ministria e Arsimit po e realizon procesin e pajisjes së nxënësve me tekste shkollore, duke paralajmëruar telashe në fillimin e vitit të ri shkollor.

Në një deklaratë për Front Online, Jasharaj ka thënë se SBASHK-u e ka kundërshtuar këtë mënyrë të shpërndarjes së teksteve, duke theksuar se e njëjta praktikë po përsëritet tash e tri vite.

“SBASHK-u e ka kundërshtuar këtë mënyrë të shpërndarjes së teksteve në librari dhe krejt mënyrën si është bërë qe tri vite. Kjo tregon se do të kemi një vit shkollorë me telashe sepse jemi afër 1 shtatorit dhe goxha procedurë duhet derisa të pajisen nxënësit me libra”, ka deklaruar Jasharaj.

Ai ka thënë se sindikata ka kërkuar që procesi të nisë me kohë dhe që komunikimi me botuesit të bëhet paraprakisht, në mënyrë që librat të jenë në shkolla para fillimit të mësimit.

“Ne kemi kërkuar që të bëhet komunikimi me botuesit me kohë dhe shpërndarja e librave në shkolla të bëhet me kohë në mënyrë që mësimdhënësit t’i shpërndajnë ato. Kjo nuk është bërë dhe po vazhdohet me mënyrën e keqe, të gabuar dhe me siguri do të kalojnë disa javë pa tekste shkollore”, ka thënë kryetari i SBASHK-ut.

Shqetësimi i Jasharajt vjen vetëm pak ditë para 1 shtatorit, kur nis viti i ri shkollor.

Sipas tij, vonesat në procesin e subvencionimit dhe furnizimit me tekste mund të bëjnë që nxënësit të mos i kenë librat në kohën kur nis mësimi.

Komento: