Mësimi tërëditor zgjerohet në katër shkolla të Prishtinës

11:01 | 29 Gusht 2026

Mësimi tërëditor do të zgjerohet gjatë këtij viti shkollor në katër shkolla të reja në Komunën e Prishtinës.

Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, ka thënë se përgatitjet për nisjen e vitit të ri shkollor janë në fazën përfundimtare.

Ai ka bërë të ditur se mësimi tërëditor do të nisë në shkollat “Mehmet Gjevori”, “Afrim Gashi”, shkollën në Vranidoll dhe “Asim Vokshi”.

“Jemi në fazën përfundimtare dhe sigurisht që gjatë gjithë kësaj vere kemi bërë përgatitjet për të filluar viti i ri akademik shkollor, me të cilin nxënësit do të jenë të pranishëm në të gjitha shkollat e Prishtinës. Çdo shkollë e Prishtinës të jetë gati në hapësirën teknike, por edhe atë të pjesës së furnizimit me materiale pedagogjike në shkolla. Prandaj, si Komunë e Prishtinës jemi gati. Kësaj here jemi gati për të zgjeruar edhe mësimin tërëditor në katër shkolla të reja, që do të jenë: Shkolla “Mehmet Gjevori”, “Afrim Gashi”, shkolla në Vranidoll dhe po ashtu “Asim Vokshi”, e cila kësaj radhe do të marrë sërish përsipër paralelet prej 1-shit deri në të 5, me të cilën nxënësit do të barten nga “Zejnel Hajdini” në “Asim Vokshi”, tha ai për EkonomiaOnline, përcjell Sinjali.

Elshani ka folur edhe për regjistrimin e nxënësve në klasat e para, duke bërë të ditur se këtë vit janë vendosur kufizime për numrin e nxënësve në një klasë.

Sipas tij, një klasë do të ketë deri në 30 nxënës, ndërsa është pamundësuar regjistrimi i nxënësve që vijnë nga komunat tjera.

Komento: