Alarm në tregun e qumështit: 13.8 milionë euro importe, ndërsa produktet vendore nën lupën e AUV-së

16:08 | 29 Gusht 2026

Kosova ka importuar mbi 18.3 milionë kilogramë qumësht dhe produkte të kategorisë së qumështit gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, me një vlerë të mallrave prej rreth 13.81 milionë euro, sipas të dhënave doganore për periudhën janar–korrik 2026.

Të dhënat e përpunuara nga evidencat e importit përfshijnë produktet e klasifikuara në kodet tarifore 0401 dhe 0402, që mbulojnë qumështin dhe ajkën e pakoncentruar, si dhe qumështin e koncentruar, përfshirë atë në formë pluhuri.

Vetëm qumështi i pakoncentruar, i klasifikuar në kategorinë 0401, përbën rreth 12.43 milionë euro të vlerës së importeve, me mbi 17.85 milionë kilogramë peshë neto. Ndërkaq, produktet e klasifikuara në kategorinë 0402, ku përfshihet edhe qumështi i koncentruar dhe qumështi pluhur, kapin vlerën prej rreth 1.38 milionë eurosh, me mbi 523 mijë kilogramë, shkruan ORAinfo.

Sllovenia prin në importet e qumështit

Sipas të dhënave të Doganës, pjesa më e madhe e këtyre importeve gjatë periudhës janar–korrik ka ardhur nga Sllovenia, me vlerë prej rreth 6.95 milionë eurosh.

Pas saj renditen Bosnja dhe Hercegovina me rreth 2 milionë euro, Shqipëria me rreth 1.67 milionë euro, Maqedonia e Veriut me rreth 817 mijë euro dhe Hungaria me rreth 704 mijë euro.

Në total, importet e kategorive 0401 dhe 0402 gjatë shtatë muajve arrijnë në rreth 13.81 milionë euro.

Importet në kohën e debatit për vajin e palmës

Shifrat për importin e qumështit vijnë në një periudhë kur sektori vendor i qumështit po përballet me një debat të fortë për përbërjen e produkteve që dalin në treg.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, gjatë kontrolleve të zhvilluara në sektor, ka analizuar 495 mostra, prej të cilave janë evidentuar 93 mospërputhje. Sipas të dhënave të publikuara nga institucionet, 46 raste kanë pasur të bëjnë me praninë ose deklarimin e vajit të palmës.

Ministria e Bujqësisë ka publikuar më 10 gusht raportin e analizave të AUV-së për Qumështoren Vita/ABRAZEN, ku thuhet se në disa produkte të tregtuara si qumësht është konstatuar yndyrë bimore me karakteristika të vajit të palmës, e cila, sipas raportit, nuk ishte deklaruar në etiketë.

Këto zhvillime kanë nxitur reagime të forta nga prodhuesit dhe përpunuesit vendorë të qumështit, të cilët kanë kërkuar kontrolle dhe trajtim të barabartë të produkteve vendore dhe atyre të importuara.

Prodhuesit vendorë kërkojnë rregulla të njëjta

Shoqata e Qumështarëve ka ngritur shqetësimin se disa produkte me përbërës si yndyrat bimore ose vaj palme mund të importohen në Kosovë, ndërsa prodhuesit vendorë përballen me kufizime për prodhimin e produkteve me përbërje të ngjashme. Shoqata ka deklaruar se nuk është kundër importit, por kërkon që rregullat të jenë të njëjta për produktet vendore dhe ato që hyjnë nga jashtë.

Edhe Ministria e Bujqësisë ka njoftuar më herët për një paketë masash për sektorin, duke theksuar se produktet duhet të kategorizohen dhe etiketohen qartë dhe se nuk duhet të ketë përzierje të qumështit të freskët me produkte që përmbajnë qumësht pluhur apo vaj palme. /ORAinfo/

Komento: