
Pas katër edicionesh radhazi në drejtimin e “Big Brother VIP Kosova”, Jonida Vokshi ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e sezonit të pestë të reality show-t.
Moderatorja ka bërë të ditur vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka rrëfyer se këtë herë spektaklin do ta ndjekë nga ana tjetër e ekranit.
“Jo, këtë herë nuk do të jem në Big Brother VIP Kosova. Pas katër edicionesh, kjo është hera e parë që do ta shoh atë nga ana tjetër e ekranit”, ka shkruar Vokshi.
Ajo ka treguar se katër vitet e kaluara me formatin kanë qenë ndër periudhat më intensive të jetës së saj, duke e shoqëruar në momente të rëndësishme si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal.
“Big Brother më ka shoqëruar në katër nga vitet më intensive të jetës sime. Më ka gjetur shtatzënë, më ka gjetur mes dhimbjes së humbjes së babit tim, më ka dhënë emocionet më të bukura, më të forta. Më ka parë të rritem e të ndryshoj”, është shprehur moderatorja.
Vendimi i saj duket se lidhet kryesisht me dëshirën për t’i kushtuar më shumë kohë familjes dhe dy fëmijëve të saj. Vokshi ka pranuar se ritmi i viteve të fundit ka qenë mjaft i ngarkuar dhe se tashmë ka ndier nevojën për të bërë një pauzë dhe për të qenë më e pranishme në jetën e fëmijëve.
“Ndjej që kam nevojë të ngadalësoj pak ritmin, për t’u dhënë më shumë praninë time atyre ku dy zëra më thërrasin mami. Ata po rriten dhe unë jam gjithmonë duke vrapuar”, ka shkruar ajo.
Megjithatë, largimi nga “Big Brother VIP Kosova” nuk duket të jetë një lamtumirë përfundimtare nga ekrani. Përkundrazi, moderatorja ka lënë të kuptohet se kjo pauzë mund t’i shërbejë për t’iu rikthyer projekteve të tjera që prej kohësh i ka pasur në mendje.
“Një kapitull që nuk po e mbyll me pikë. Thjesht po vendos një presje”, ka përfunduar Vokshi, duke i uruar njëkohësisht suksese Alaudin Hamitit dhe Olsa Muhametit në edicionin e ri.
Jonida Vokshi ka qenë pjesë e “Big Brother VIP Kosova” që nga edicioni i parë, i cili nisi në vitin 2022, duke bashkëprezantuar formatin përkrah Alaudin Hamitit.
Kështu, edicioni i pestë i reality show-t, i cili pritet të nisë në tetor, do të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në ekran, pasi për herë të parë “Big Brother VIP Kosova” do të vijë pa Jonida Vokshin në rolin e prezantueses.
