Hoti nuk u pa në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, mbetet kundër kandidaturës së Sejdiut

17:23 | 01 Shtator 2026

Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti nuk u pa të hynte në mbledhjen e Kryesisë së partisë, që u mbajt sot për të diskutuar për zgjedhjen e Presidentit.

Para mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ai konfirmoi qëndrimin e djeshëm.

“E kam bërë publik qëndrimin tim”, tha Hoti.

Ai dje nëpërmjet një postimi në Facebook tha se “nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional”. Tha se “Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë unifikues” dhe se kjo kandidaturë “nuk e përmbush këtë kriter”.

Lidhja Demokratike e Kosovës lëshoi pak më parë një deklaratë në faqen e saj zyrtare në Facebook, në emër të Kryesisë së partisë, duke thënë se nominimi i Bekim Sejdiut për President u mbështet “me unanimitet të plotë”.

LDK-ja tha se “pas shqyrtimit, Kryesia, me unanimitet të plotë, miratoi marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së; dhe kështu mbështeti nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës”.

“Ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së, me procedurat vendimmarrëse të partisë dhe me përgjegjësinë që LDK-ja ka marrë për garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues”, thuhet në deklaratë.

Komento: