
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka cilësuar tallje me shtetin dhe dalje përtej binarëve kushtetues, caktimin e vazhdimit të seancës konstituive për 9 shtator.
Duke e cilësuar këtë datë përtej çdo afati kushtetues, Gjini i ka quajtur Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin “superkriminelë”.
Të premten, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka njoftuar se e ka caktuar për të mërkurën e ardhshme vazhdimin e seancës konstituive për legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Ky vazhdim mbahet përtej afatit kushtetues 30 ditësh prej certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve e edhe përtej 30 ditësh prej kur u mbajt seanca e parë.
“Ajo që e pamë sot, thirrja për 9 shtator është edhe një shkelje brutale e normës dhe bindjes kushtetuese dhe vetë Kushtetutës. Është mënyrë me u tallë me shtetin dhe qytetarët. Mënyrë për të abuzuar skajshëm me gjithçka që shteti ia ofron dikujt që i fiton zgjedhjet… me qeverisë. Shumica dërrmuee prej nesh e kemi ditë se edhe para 30 ditësh ka pasur shkelje, por kemi besuar se duhet mbajtur një rrugë çelë që Kosova të mos dalë jashtë çdo vije kushtetuese. Ajo që ka ndodhur sot është se një person që i ka zaptuar institucionet në mënyrë të paligjshme dhe është toleruar nga të gjitha partitë me ia caktuar vetes edhe 30 ditë e edhe këto 30 ditë i ka shkelur. Kosova është jashtë normave të rregullimit të vet kushtetues. Kjo është anarki, thënë më së buti. Do të mbahen mend si superkriminelët më të mëdhenj të historisë, duke përdorur termet e tyre”, ka thënë Gjini teksa u ka bërë thirrje dy partive të tjera që deri tash ishin në opozitë, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike “të mendojnë dhe të mos bëhen pjesë e shkeljes brutale të Kushtetutës”.
“Sot Kurti s’ka lënë rrugë për zgjidhje normale dhe kushtetuese. I ka mbyllur të gjitha për të biseduar për të ardhmen e vendit. Po dëshiron ta caktojë vetë datën e zgjedhjeve përmes shkeljeve të njëpasnjëshme. S’ka asnjë autoritet sot që ushtron detyrën dhe që s’e shkel Kushtetutën, pos komunat”, ka thënë Gjini.
Sipas tij, Kurti po e synon 22 nëntorin ose 27 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të reja.