Nxehtësi gjatë ditës, freskim gjatë natës – kështu do të jetë vikendi

19:05 | 04 Shtator 2026

Gjatë vikendit, do të mbajë mot me diell dhe me vranësira të pakta, kryesisht rreth relievit malor.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë kësaj periudhe nuk parashihen reshje ndërsa temperaturat gjatë ditës do të mbeten të larta, kurse netët kanë filluar të freskohen gradualisht në raport me ditët e fundit, kur temperaturat e natës kanë qenë më të larta dhe netët më të ngrohta.

Të shtunën, sipas IHMK-së, moti do të jetë kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta, më të theksuara rreth viseve malore.

“Temperaturat minimale do të lëvizin nga 9°C deri në 12°C, ndërsa maksimalet nga 29°C deri në 34°C. Do të fryjë erë kryesisht e dobët, nga drejtime të ndryshueshme, me shpejtësi 1-4m/s”, tha IHMK.

Ndërkaq, të dielën, Instituti thotë se do të mbajë mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta, sidomos rreth relievit malor dhe nuk parashihen reshje.

“Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10°C deri në 15°C, ndërsa maksimalet nga 28°C deri në 31°C. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, kryesisht nga drejtimet veriore dhe verilindore, me shpejtësi 1-5m/s”, u tha në njoftimin e IHMK-së.

Sipas Institutit, kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të mira dhe të favorshme.

Theksohet se temperaturat e larta gjatë ditës mund të shkaktojnë ngarkesë termike të lehtë, ndërsa freskimi i netëve do të sjellë kushte më të përshtatshme për pushim dhe gjumë.

IHMK shton se kushtet agrometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për punët bujqësore, veçanërisht për vjeljen dhe pjekjen e kulturave.

“Mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta gjatë ditës mund të rrisin nevojën për ujitje te kulturat që ende ndodhen në fazat aktive të zhvillimit”, bëri me dije Instituti.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës tha se indeksi UV do të jetë kryesisht mesatar deri i lartë, 5–6, me vlera më të larta gjatë orëve të mesditës.

Rekomandohet mbrojtja nga ekspozimi i zgjatur ndaj rrezatimit të drejtpërdrejtë diellor.

Komento: