Haziri rrëfen prapaskenat e marrëveshjes me Kurtin për Presidentin: Abdixhiku e dinte se Sejdiu nuk i kishte votat e LDK-së

22:55 | 04 Shtator 2026

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka dhënë detaje të reja rreth procesit të përzgjedhjes së Bekim Sejdiut si kandidat për president të Kosovës, duke zbuluar se emri i tij ishte propozuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një intervistë për Vox Kosova, Haziri ka thënë se në momentin kur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e prezantoi publikisht Sejdiun si kandidat “konsensual”, ai e dinte se brenda Grupit Parlamentar të LDK-së nuk ekzistonte ende uniteti për ta votuar atë.

I pyetur nëse e dinte se LDK-ja nuk i kishte votat e nevojshme për president në momentin e prezantimit të kandidaturës, Haziri u përgjigj: “Po”.

6 vjet nga marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, Hoti publikon foton: Kur Kosova udhëhiqej nga një qeveri euroatlantike
Sipas tij, ai kishte paralajmëruar edhe para takimit të fundit se bashkëpunimi i brendshëm në LDK duhej të ishte bazë për çdo marrëveshje me partnerët politikë, përfshirë Vetëvendosjen.

Haziri ka treguar se Bekim Sejdiu nuk ishte vetëm propozim i LDK-së, por emri i tij ishte përfshirë edhe në listën e Vetëvendosjes.

“Emri si metodë e bisedave LDK-LVV e ka determinu edhe emrin e përveçëm. Nga 13 emrat, në dy listat ka qenë i propozuar vetëm një emër, ai ka qenë emri i Bekim Sejdiut”, ka deklaruar Haziri.

Sipas tij, LDK-ja kishte propozuar tre emra, ndërsa Vetëvendosje kishte paraqitur dhjetë kandidatura. Përfundimisht, Sejdiu ishte i vetmi emër që ishte në të dyja listat.

Haziri ka thënë se pas kësaj, kandidatura e Sejdiut është diskutuar edhe në aspektin e kredibilitetit, autoritetit dhe përvojës së tij, por ka pranuar se që në atë moment ishte i vetëdijshëm se do të ishte e vështirë të ndërtohej unitet brenda LDK-së për këtë kandidaturë.

Ai është pyetur edhe se përse Abdixhiku doli publikisht me deklaratën se ishte gjetur kandidati konsensual, nëse dihej se konsensusi nuk ekzistonte as brenda LDK-së.

Haziri ka thënë se Abdixhiku kishte besuar në dialogun e brendshëm dhe se edhe ai vetë kishte qenë i bindur se çështja mund të zgjidhej përmes dialogut.

Sipas tij, takimi i Grupit Parlamentar të LDK-së më pas nxori në pah kundërshtimet e disa deputetëve të partisë, të cilët, siç tha ai, kanë dhënë mendimin e tyre të lirë.

Haziri ka theksuar se gjashtë deputetët kundërshtues nuk duhet të shihen si problemi kryesor, pasi bëhet fjalë për figura me përvojë të gjatë institucionale dhe partiake.

Në intervistë është ngritur edhe çështja se pse LDK-ja kishte negociuar me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen përpara se të siguronte një marrëveshje të plotë me deputetët e saj.

Haziri ka sqaruar se fillimisht LDK-ja dhe LVV-ja kishin diskutuar për një bashkëpunim më të gjerë politik, që do të përfshinte parime të përbashkëta për proceset politike, agjendën zhvillimore dhe ndarjen e përgjegjësive.

Megjithatë, pas takimit të tretë, sipas tij, ky bashkëpunim u reduktua vetëm në një çështje – zgjedhjen e presidentit.

“Bashkëpunimi ka ra vetëm në një pikë. Vetëm për zgjedhjen e presidentit. Tjetër lloj bashkëpunimi ne nuk kemi pasë në tavolinë”, ka thënë Haziri.

Ai ka treguar se edhe brenda grupit parlamentar të LDK-së kishte pasur diskutime se partia duhej të bashkëpunonte me LVV-në vetëm për zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe jo për forma të tjera të bashkëpunimit politik.

Haziri ka thënë se vetë kishte qenë për një bashkëpunim më të gjerë mbi parime, procese, agjendë dhe përgjegjësi, por kjo ide nuk kishte gjetur mbështetjen e nevojshme.

Në fund, ai ka theksuar se emri i Sejdiut nuk ishte diskutuar publikisht deri pak para se të bëhej i ditur, duke thënë se 13 emrat e propozuar nuk ishin bërë pjesë e diskutimeve publike dhe se asnjëri prej tyre nuk ishte kontaktuar paraprakisht për kandidaturën.

“13 emra që kanë qenë në listë të propozuar, asnjë emër nuk është kontaktuar, nuk është biseduar”, ka deklaruar Haziri.

Komento: