Vazhdimi i seancës më 9 shtator, PDK-ja e Aleanca paralajmërojnë veprime

22:58 | 05 Shtator 2026

Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti më i vjetër Avni Dehari, të premten njoftoi se ka caktuar vazhdimin e seancës konstituive për 9 shtator në ora 11:00. Njoftimi i Deharit për vazhdimin e seancës u prit me kritika nga partitë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka paralajmëruar se PDK-ja nuk do ta pranojë shkeljen e Kushtetutës, duke thënë se nga sot kjo parti do të hyjë në një fazë të re të veprimit për rikthimin e ligjshmërisë dhe rendit kushtetues në vend.

Në një deklaratë për media nga salla e Kuvendit, Hamza të shtunën tha se situata e krijuar tashmë nuk mund të konsiderohet thjesht si një përplasje politike mes dy subjekteve apo liderëve.

“Kjo që ka ndodhur nuk është një mosmarrëveshje e thjeshtë politike. Nuk është konflikt mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Nuk është konflikt mes Bedri Hamzës dhe Albin Kurtit. Është konflikt mes një mënyre autoritare të ushtrimit të pushtetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi Hamza.

Ai shtoi se pushteti nuk mund t’i trajtojë Kushtetutën, vendimet e gjykatave dhe obligimet institucionale sipas interesit politik.

Hamza theksoi se institucionet duhet t’i respektojnë vendimet e gjykatave dhe dispozitat kushtetuese, pavarësisht interesave politike.

“Në demokraci, edhe kur nuk të pëlqen Kushtetuta, nuk e shkel atë. Kur nuk të pëlqen një vendim i Gjykatës Kushtetuese, nuk sillesh sikur ai nuk ekziston. Dhe kur Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës konstaton se deputeti nuk mund ta ushtrojë njëkohësisht edhe funksionin e ministrit, nuk mund të sillesh sikur gjykata nuk ka folur”, tha ai.

Hamza paralajmëroi se PDK-ja nuk do të kufizohet vetëm në kërkesat për respektimin e ligjshmërisë, por do të ndërmarrë veprime konkrete për rikthimin e saj.

“Nga sot fillon një fazë tjetër. Një fazë në të cilën Partia Demokratike e Kosovës nuk do të mjaftohet vetëm duke kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Do të veprojmë. Me përgjegjësi. Me vendosmëri. Me të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale që na i jep rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Ne kemi kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Nga sot, do të veprojmë që ligjshmëria të rikthehet”.

Reagime pati edhe nga Aleanca.

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka thënë se sonte skadon afati për konstituim të Kuvendit të Kosovës edhe sipas vetë interpretimit që e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje.

Ramadani ka thënë se sipas aktgjykimit të Kushtetueses duhej të konstituohej Kuvendi deri më 7 gusht.

Ramadani në postim në Facebook ka shkruar se ky është provokim i qëllimshëm.

“Jo vetëm që nuk u respektua interpretimi kushtetues për afatin e konstituimit të Kuvendit, por Vetëvendosje nuk po e respekton as interpretimin e saj politik për këtë afat. Prandaj, thirrja e vazhdimit të seancës për 9 shtator nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si provokim i qëllimshëm dhe si një veprim që prodhon jostabilitet institucional. Kuvendi mund të konstituohet vetëm edhe sot. Pas sonte nuk ka më asnjë arsyetim, asnjë interpretim dhe asnjë sekondë shtesë. Pas ditës së sotme, nuk ka më afat as kushtetues, as politik, as moral”, ka shkruar Ramadani në Facebook.

Ramadani ka folur edhe në sallën e Kuvendit sot lidhur me këtë çështje.

Gjatë fjalimit në seancë ka thënë se kryeministri në detyrë dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka vendosur të krijojë kaos institucional e pastaj ta drejtojë vendin kah zgjedhjet.

Ai ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari ka “vepruar si vegël e Kurtit”.

Ramadani ka thënë se Aleanca me PDK-në do të veprojnë në mbrojtje të demokracisë.

“Në vazhdimësi nga 7 gushti deputetët e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes janë në shkelje të betimit të deputetit për mbrojtje kushtetuetshmërisë e ligjshmërisë në Kosovë. Kosova ka demokraci e duhet ta mbrojë demokracinë. Aleanca bashkë me PDK-në e gjithë qytetarët që e duan Kosovën dhe shtetin e Kosovës, do të veprojë në mbrojtje të demokracisë, kushtetuteshmërisë e ligjshmërisë. Në aspektin edhe personal për individët që e bëjnë Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes, krejt çka mund të themi është se duhet të lutemi për lirinë e tyre. Ata nuk kanë të drejtë as të mendojnë, shprehen e as të veprojnë”, tha Ramadani.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Seanca e fundit për këtë çështje është mbajtur një ditë më vonë, ndërsa prej atëherë nuk është thirrur vazhdimi i saj.

LDK-ja dhe Vetëvendosja arritën marrëveshje që profesori universitar Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president. Por kundër marrëveshjes dolën deputetët e LDK-së Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.

Komento: