
Pavarësisht subvencionimit të teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, librat e përdorur të nxënësve të gjeneratës së kaluar vazhdojnë të shiten në faqe të ndryshme në rrjetet sociale.
Në njoftimet e publikuara nga prindër të ndryshëm, librat për nxënësit e klasave të para deri në të nëntat po ofrohen me çmime që variojnë nga 20 deri në 60 euro, varësisht nga cilës klasë i përkasin ato libra apo cila është gjëndja e teksteve shkollore.
E nuk janë të pakta as komentet e prindërve që shprehin interesim për blerjen e tyre.
Kjo praktikë po vazhdon edhe pasi MASH-i njoftoi ditë pare për ekzekutimin e subvencioneve për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit e klasave 1 deri në 9.
Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja, thotë se shitja dhe shkëmbimi i librave të përdorur është një problem që është shfaqur që nga fillimi i skemës së subvencionimit të drejtpërdrejtë për prindërit.
“Tash në momentin kur i bart mjetet drejtpërdrejt tek prindërit, atëherë padyshim që nuk ka ndonjë garanci që ato mjete gjithherë përdoren për destinimin e blerjes së teksteve shkollore. Kjo është një problematikë jo vetëm sivjet, po që kur ka filluar ky subvencionimi i drejtpërdrejtë tek tek prindërit. Pra është një problem i në vete, po që pastaj është vështirë i kontrollueshëm se në fund të ditës nuk mundet askush me ia ndalur askujt shkëmbimin e teksteve shkollore”, tha ai.
Sipas ekspertit, jo të gjitha tekstet janë të përshtatshme për ripërdorim, sidomos ato në të cilat nxënësit duhet të shkruajnë dhe të plotësojnë ushtrime.

Për këtë nga një shkollë fillore dhe e mesme e ulët në Prishtinë thonë se përdorimi i librave të gjeneratës së kaluar është problem për tekstet që duhet të plotësohen nga nxënësit ndërsa për të tjerat thonë se nuk paraqet problem të madh.
Drejtori i SHFMU “Pavarësia” në Prishtinë, Halil Braha thotë se ka raste kur prindërit mund t’i kenë blerë librat para se të ekzekutoheshin subvencionet, por edhe nga ata që i blejnë libra të përdorura për të kursyer para.
Krahas subvencionimit, MASH parasheh kthimin e teksteve shkollore në shkollat përkatëse dhe ruajtjen e tyre pas përfundimit të vitit mësimor.
Kjo dispozitë është e paraparë edhe me Udhëzimin Administrativ 02/2016, por sipas tij, zbatimi i saj ndër vite ka qenë i mangët.
Qehaja thotë se në momentin që mjetet financiare kalojnë te prindërit, institucionet nuk kanë kontroll të plotë se si shpenzohen ato.
Edhe drejtori i SHFMU “Pavarësia” thotë se që kur tekstet subvencionohen drejtëpërdrejt të prindërit, ato më nuk kthehen në shkolla si më parë.
Derisa librat e përdorur vazhdojnë të qarkullojnë në tregun online, mbetet e paqartë se sa prej tyre përfundojnë në duart e nxënësve të tjerë dhe sa prej subvencioneve të ndara për tekstet shkollore përdoren për blerjen e librave të rinj.