
Personi që shihni në foto është 24-vjeçari Ylber Luli, i cili humbi jetën mëngjesin e sotëm në Shkodër. Luli ishte i angazhuar në sektorin e turizmit në Shkodër dhe ushtronte profesionin e udhërrëfyesit turistik.
Ngjarja sipas policisë ka ndodhur rreth orës 05:30 në lagjen “Kongresi i Përmetit”, ku tre persona u përfshinë në një përplasje gjatë së cilës u përdorën armë zjarri dhe thikë, raporton Shekulli.
Sipas të dhënave paraprake, 25-vjeçari Andri Vulaj dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj 63-vjeçarit Qamil Luli dhe djalit të tij, 24-vjeçarit Ylber Luli.
Më pas, babë e bir dyshohet se kanë reaguar duke përdorur thikë ndaj Vulajt, duke e plagosur.
Tre personat e përfshirë në konflikt u dërguan për ndihmë mjekësore, por 24-vjeçari Ylber Luli nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në spital.
Ndërkohë, 25-vjeçari Andri Vulaj është shoqëruar nga policia. Në vendngjarje është sekuestruar edhe një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore të personave të përfshirë.