
Sot do të mbahet Marshi për Liri në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në prag të shpalljes së verdiktit nga Gjykata Speciale për ish-krerët e UÇK’së.
Organizatorët e marshit “Liria ka emër” kanë bërë thirrje për dalje masive në shesh për të mbështetur ata.
Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza dhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, do t’iu drejtohen pjesëmarrësve.
Ndërkohë, përfaqësuesit e “Liria ka emër” iu kanë bërë thirrje edhe spektrit politik që t’i bashkohen këtij marshi.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dje nuk u përgjigj në këtë pyetje të gazetarëve nëse do të marrë pjesë ose jo.
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, i ka ftuar liderët e katër partive parlamentare shqiptare të marrin fjalën e tyre, për t’iu drejtuar pjesëmarrësve në marsh, mirëpo thanë se “ftesës i janë përgjigjur pozitivisht vetëm kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe ai i AAK-së Ardian Gjini”.
Hoxha dje ka prezantuar edhe programin dhe folësit e Marshit.
“Në emër të platformës ‘Liria ka Emër’ do të flasim ne të dy së bashku, do ta hapim, në fakt, pjesën formale të Marshit. Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati. Do të flasë Liriona Sulejmani në emër të fëmijëve të dëshmorëve, si vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, duke sjellë zërin dhe mesazhin e një brezi që trashëgon kujtesën dhe sakrificën e luftës edhe në familje. Qytetarëve do t’u drejtohen gjithashtu Ardian Gjini dhe Bedri Hamza, si dhe Buna Mustafa, e bija e Salih Mustafës-Calit. Programi do të shoqërohet edhe me këngë, të cilat do të jenë pjesë e mesazhit të këtij tubimi, këngë patriotike, natyrisht, që na kanë frymëzuar dhe na kanë kujtuar gjithmonë për përkushtimin tonë për liri”, tha Hoxha.
Ajo ka shtuar se “Liria ka emër” ka organizuar transport me autobusë nga të gjitha qytetet e Kosovës.
“Ejani me familjet tuaja, ejani me fëmijët tuaj, ejani me prindërit tuaj, me miqtë tuaj, ejani të gjithë bashkë në Marsh më 12 shtator, në orën 14:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’, të Marshojmë për çlirimtarët tanë”, tha Hoxha.
Ndërkaq, Ismail Tasholli ftoi qytetarët që t’i bashkohen Marshit, duke theksuar se mesazhi i organizatorëve nga Prishtina deri në Hagë mbetet i njëjtë: të qëndrojnë të bashkuar dhe pranë njëri-tjetrit në momente që, sipas tij, kanë rëndësi të veçantë.
“Prandaj, sot dua t’ju drejtoj një ftesë të gjithë qytetarëve. Bashkohuni me ne më 12 shtator, në orën 14:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Mos ejani vetëm, ejani me familjet tuaja, merrni fëmijët, prindërit, vëllezërit, motrat dhe miqtë tuaj, ashtu siç erdhi edhe Eliza. Le të jetë ky Marsh një Marsh qytetar, familjar, paqësor dhe dinjitoz. Le të jemi sa më shumë, le të jemi bashkë. Më 12 shtator, ora 14:00, Sheshi ‘Skënderbeu’. Dhe më 15 shtator, nga ora 22:00, takohemi përsëri në Hagë, në natën e pritjes, për të qëndruar së bashku deri në nisjen e seancës së gjyqit”, tha ai.
Mbështetje këtij marshi i kanë dhënë edhe shumë figura publike.