Mozzik: M’u sha familja pse dola në Marsh, ne s’kemi pasë kurrë dashuri për Serbinë

22:08 | 13 Shtator 2026

Pjesëmarrja në “Marshin për Liri” në Prishtinë ka nxitur reagimin e reperit Mozzik, i cili është shprehur i revoltuar me disa prej komenteve që ka parë në rrjetet sociale.

Ai ka treguar se pasi ishte kthyer në shtëpi, kishte parë reagimet e publikuara në artikujt ku ishte përmendur edhe pjesëmarrja e tij në marshin e së dielës, të organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

Sipas Mozzik, në këto komente kishte edhe ofendime drejtuar atij dhe familjes së tij. Reperi ka pretenduar gjithashtu se shumë prej llogarive që kishin komentuar ishin profile të rreme.

Reagimi i tij është përqendruar edhe te personat që, sipas tij, janë kundër luftës së UÇK-së. Mozzik i ka akuzuar ata për qëndrime të lidhura me Beogradin dhe u ka bërë thirrje të mos bashkohen me ta.

“Zoti ju marroftë juve që jeni kundër luftës së pastër të UÇK-së! Largohuni prej rreshtit tonë. Nuk na duheni as sot me u rreshtu me ne”, ka shkruar ai.

Komento: