Gjendet i vdekur në Klinë 40-vjeçari austriak

16:42 | 15 Shtator 2026

Shtetasi austriak Roman Rainer, i lindur në vitin 1985, është gjetur pa shenja jete në lumin Drin, në afërsi të Klinës.

Burime të Gazetës Online Reporteri.net bëjnë të ditur se ai dyshohet se kishte dalë për të zënë peshk, ndërsa më pas ishte raportuar i zhdukur.

Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, rasti është raportuar rreth orës 02:35 të së martës, pasi një familjar kishte njoftuar se viktima nuk ishte lajmëruar në telefon që nga dita e kaluar.

“Me datën 15.09.2026, rreth orës 02:35, në Stacionin Policor në Klinë, ka ardhur një person dhe ka raportuar se familjar i saj, që nga dita e djeshme, nuk lajmërohet në telefon dhe i njëjti është shpallur ‘person i zhdukur’”, ka deklaruar Rugova.

Ai ka bërë të ditur se njësitet policore kanë ndërmarrë menjëherë veprimet për kërkimin e personit të zhdukur.

“Pas një pune intensive të njësive policore, sot rreth orës 10:10, personi i zhdukur është gjetur në fshatin Zajm-Klinë, i cili ishte pa shenja jete. Këtë e ka konstatuar ekipi mjekësor”, tha Rugova.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit nga Sektori Rajonal për Hetime i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, si dhe prokurori i shtetit.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes”.

Komento: