
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas miratimit të Deklaratës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Haxhiu tha se Kuvendi i Kosovës ka folur “me një zë”, duke theksuar se lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte luftë e drejtë.
“Lufta e popullit tonë për liri dhe pavarësi, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një luftë e drejtë. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit dhe krimeve të rënda të Serbisë, në një kohë kur populli ynë vritej, dëbohej dhe përndiqej nga shtëpitë e veta. Kjo e vërtetë nuk zhbëhet me asnjë aktgjykim”, deklaroi Haxhiu.
Sipas saj, institucionet e Kosovës duhet të veprojnë të bashkuara përmes një strategjie të përbashkët juridike dhe diplomatike, me qëllim të mbrojtjes së së vërtetës për luftën e popullit të Kosovës.
Haxhiu theksoi se beteja juridike vazhdon në procesin e apelit.
“Ne do të qëndrojmë bashkë në këtë betejë, deri në lirimin e plotë të ish-krerëve të UÇK-së”, tha ajo.