180 raste me fruth në Kosovë, IKSHPK: Vaksinimi, masa më efikase për shëndetin e fëmijëve

17:14 | 28 Shtator 2026

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bëri të ditur se janë konfirmuar 180 raste me fruth, prej të cilave 8 raste janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit. Vihet në dukje se mbi 95% e këtyre rasteve me fruth të regjistruar në periudhën 16 prill – 27 shtator 2026 janë të pavaksinuar me vaksinën MMR.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton qytetarët se vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme, më e sigurt dhe më efikase për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të gjithë komunitetit.

“Për këtë arsye, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar edhe vaksinimin e vonuar (catch-up), për fëmijët që për arsye të ndryshme e kanë shtyrë atë. Si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,176 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç, duke konfirmuar ndërgjegjësimin e lartë dhe angazhimin e prindërve për të siguruar shëndetin e fëmijëve të tyre”, thuhet në njoftim.

IKShPK vlerëson lart kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve për rritjen e shkallës së vaksinimit. Çdo fëmijë i vaksinuar është një jetë më shumë e mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes definitive të përhapjes së fruthit.

“Vaksinimi i rregullt + catch-up = më shumë fëmijë të mbrojtur!”, thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Komento: