
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Çitaku ka kundërshtuar deklaratën se dënimet në Hagë kanë të bëjnë me “krime individuale ndaj komuniteteve të ndryshme”, duke argumentuar se çështja, sipas saj, është më e gjerë.
Ajo ka thënë se në proceset gjyqësore në Hagë është trajtuar edhe pretendimi për ekzistimin e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, duke e cilësuar këtë si thelbin dhe peshën e vendimit.
“Qartazi, Ambasadori i nderuar as nuk e ka lexuar aktakuzën, as nuk e ka përcjellë procesin, e as nuk e ka dëgjuar aktvendimin e Gjykatës”, ka shkruar Çitaku.
“Sepse këtu nuk bëhet fjalë për dënime për vepra individuale. UÇK është cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Ky është thelbi. Kjo është pesha e këtij vendimi. Dhe këtë nuk mund ta mbuloni me një fjali diplomatike”, ka shkruar tutje ajo.
Hargreaves: Dënimet nga Haga janë individuale, në asnjë mënyrë s’e gjykojnë shtetësinë e Kosovës
Çitaku ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas saj, mund të interpretohet dhe trajtohet ky vendim në diskursin politik.
“Mos na qitni hi syve. Ju mundeni me e pranu këtë vendim. Mundeni me e relativizu. Mundeni me e reduktu në katër emra dhe me vazhdu tutje, sikur asgjë nuk ka ndodhur”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka theksuar se nuk do ta pranojë që lufta e UÇK-së të përshkruhet në terma që, sipas saj, e barazojnë atë me kriminalitetin.
“Po ne jo. Ne nuk kemi me heshtë derisa lufta jonë për liri të përshkruhet me gjuhën e kriminalitetit. Nuk kemi me e pranu që historia jonë të rishkruhet për komoditetin politik të askujt. Jo. Jo në emrin tim”, ka thënë Çitaku.