
Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që Qeveria ta procedojë në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Në natën e 14-të të protestës, ai tha se votimi i deklaratës nga 99 deputetë nuk e përmbush kërkesën e protestuesve pa u pasuar me ligj.
Haziri e nisi fjalimin duke falënderuar qytetarët që, edhe pas dy javësh, vazhdojnë të dalin çdo mbrëmje në shesh.
“E di që pas një dite të gjatë, me hallet e punës, me fëmijët, me përditshmërinë dhe barrën që e ka secili prej nesh, më e lehta do të ishte të rrinim në shtëpi. Por ja ku jemi! Prapë bashkë. Prapë këtu. Duke lënë çdo rehati e çdo interes personal anash për t’i dalë zot dinjitetit të këtij vendi”, tha ai.
Sipas tij, protesta nuk po e humb forcën. “Vetëm shikojeni njëri-tjetrin në sy: këtu nuk ka plogështi! Në këtë shesh ka vetëm një gjë që po zien çdo ditë e më shumë: këtu po soset durimi! Nuk po rritet lodhja, por po soset durimi”, u shpreh Haziri.
Ai iu referua deklaratës së miratuar në Kuvend, duke thënë se tashmë nuk ka vend për zhvendosje të përgjegjësisë nga një institucion te tjetri.
“Deri dje luanin ping-pong me përgjegjësinë shtetërore. Na shisnin mjegull e na thoshin: ‘Prisni Kuvendin, se pa folur Kuvendi nuk mund të bëjmë asgjë’. Epo Kuvendi e bëri lëvizjen e vet. 99 deputetë të të gjitha partive e votuan atë deklaratën e famshme”, tha Haziri.
Megjithatë, ai e cilësoi deklaratën të pamjaftueshme nëse nuk pasohet nga miratimi i ndryshimeve ligjore.
“Janë fjalë të radhitura bukur në një letër sa për të thënë: ‘Ja, ne e bëmë tonën, lajini duart’. Zero pasoja juridike. Zero! Kjo deklaratë, pa ligjin prapa saj, është fiks me na ushqy me lugë të thatë”, deklaroi ai.
“Kosova nuk është kullë e ndërtuar me letra. Kosova është kullë e mundit, djersës, sakrificës e gjakut. Kulla mbahet me vepra, e shteti mbahet me ligje! Jo me deklarata”, shtoi Haziri.
Organizatori i protestës kërkoi nga deputetët që mbështetjen e shprehur me deklaratë ta dëshmojnë edhe kur projektligji të vijë për votim.
“Nëse dje 99 duar u ngritën aq kollaj për një letër që askujt nuk ia prish terezinë, sa nga ato duar do të ngrihen kur ligji të vijë në rend të ditës? A do t’u dridhet dora atëherë, apo do të fshihen nën tavolinë?”, pyeti ai.
Haziri tha se vëmendja e protestuesve tani është te Qeveria, ku, sipas tij, ndodhet projektligji. Ai theksoi se ende nuk po e akuzojnë Qeverinë për bllokim, por presin veprimin e saj.
“Ne nuk po dalim sonte të bërtasim e të themi se e keni bllokuar e që nuk po doni ta votoni. Kjo mbetet të shihet. Ne po presim. Nuk kemi dhënë verdikt. Jemi duke ju matë”, u shpreh ai.
Më pas, Haziri iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Kurti: “Kryeministër, në atë tavolinë ti nuk e ke thjesht një projektligj! Nuk është udhëzim i rëndomtë administrativ. Nuk është rregullore e zakonshme. Atë që keni mbi tavolinë është dinjiteti i këtij shteti!”
Ai tha se sheshi nuk do të tërhiqet dhe paralajmëroi pjesëmarrje masive në protestën e 1 tetorit.
“Ne kemi trokitur me fjalë. Kemi pritur me durim. Por durimi, vëllezër dhe motra, ka arritur në kufi! Nëse mendoni se kjo revoltë mbyllet me një deklaratë fasadë, mbajeni mend mirë: Më 1 tetor, do ta kuptoni se çfarë force mban ky shesh!”, tha Haziri.
“Më 1 tetor, zëri ynë nuk do të jetë më pritje — do të jetë lum njerëzish, një vërshim i vërtetë, një uragan i pandalshëm i këtij populli! Zgjidhja është në tavolinën tuaj. Veproni sa nuk është vonë!”, përfundoi ai.