Gjermania goditet nga një stuhi e fuqishme

12:51 | 24 Tetor 2026

Një stuhi e fuqishme ka goditur pjesë të Gjermanisë, duke shkaktuar dëme materiale, rrëzimin e pemëve dhe ndërprerje të trafikut hekurudhor. Si pasojë e motit të keq, disa persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Ngjarjet më serioze janë regjistruar në pjesën perëndimore dhe jugperëndimore të vendit, ku erërat e forta kanë rrëzuar pemë, degë dhe struktura të ndryshme. Ekipet e zjarrfikësve dhe policisë janë angazhuar për largimin e pengesave dhe përballimin e pasojave të stuhisë.

Në qytetin Nastätten, në perëndim të Frankfurtit, dy persona u lënduan rëndë të premten pasdite, pasi erërat e fuqishme rrëzuan një konstruksion pranë një tregu. Njëri prej tyre u transportua me helikopter në spital dhe, sipas policisë, ndodhet në gjendje kritike.

Ndërkohë, në Seligenstadt, në juglindje të Frankfurtit, një degë peme ra mbi një çiklist, i cili u nxor nga poshtë saj nga ekipet e shpëtimit. Një këmbësor në qytetin Lebach pësoi lëndime të lehta pasi u godit nga një tabelë reklamuese.

Stuhia shkaktoi probleme edhe në transportin hekurudhor. Në Karlsruhe u raportuan shkëndija pasi një objekt goditi linjat elektrike ajrore në stacionin kryesor të trenave. Ndërsa pranë qytetit Aachen, një tren me 280 pasagjerë në bord u desh të tërhiqej nga një lokomotivë me naftë për shkak të dëmtimit të linjave elektrike.

Pemët e rrëzuara bllokuan gjithashtu binarët në disa zona, përfshirë pranë Neussit dhe në Stuttgart, duke vështirësuar qarkullimin e trenave.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Gjerman, stuhia pritet të zhvendoset drejt Danimarkës dhe Detit Baltik. Megjithatë, parashikimet paralajmërojnë për një tjetër stuhi gjatë natës, e cila mund të sjellë reshje të dendura shiu në disa pjesë të vendit.

Autoritetet dhe ekipet emergjente po vazhdojnë punën për largimin e pasojave të motit të keq, ndërsa qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes në zonat e prekura nga erërat e forta. /Telegrafi/

Komento: