
Informacione të reja kanë dalë në dritë lidhur me lëvizjet e mundshme të Albert Sylajt, të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt, krim që tronditi opinionin publik dhe nxiti reagime të shumta për sigurinë e grave në Kosovë.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Sylaj është raportuar të jetë parë mbrëmjen e djeshme, më 26 tetor 2026, në Prishtinë, ndërsa sonte, më 27 tetor, kanë dalë informacione të reja se ai është lokalizuar në zonën e Becit (Gjakovë).
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë mbrëmjes së djeshme, rreth orës 19:20, një qytetar kishte njoftuar Policinë se kishte parë një person që e kishte identifikuar si të dyshuarin për vrasjen e rëndë në Pejë.
Në të njëjtën kohë, ishin ngritur dyshime se Sylaj po përpiqej të siguronte ndihmë nga persona të tjerë për t’u larguar drejt Serbisë dhe për t’iu shmangur arrestimit.
Ndërkohë, informacionet e siguruara sonte tregojnë për një zhvillim të ri në kërkimet për të dyshuarin, i cili raportohet se është lokalizuar në zonën e Becit.
Gazeta Sinjali posedon edhe identitetet e personave që përmenden në këto informacione, si dhe hollësi të tjera mbi lëvizjet dhe kontaktet e dyshuara, por ka vendosur të mos i publikojë për të mos cenuar veprimet e autoriteteve.
Ende nuk ka konfirmim zyrtar nëse lokalizimi i raportuar ka rezultuar në kontakt të drejtpërdrejtë me të dyshuarin apo në arrestimin e tij.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor, ndërsa Albert Sylaj është identifikuar si i dyshuari për këtë krim.
Rasti ka ngritur shqetësime serioze edhe për mënyrën se si institucionet kishin trajtuar denoncimet e mëhershme të viktimës dhe kërkesat e saj për mbrojtje.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.