
Këngëtarja e njohur dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adelina Thaqi Meta, ka qenë pjesë e protestës së mbajtur të mërkurën në Prishtinë, ku po kërkohet drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale pas vrasjes së saj.
Thaqi Meta ka folur edhe para mikrofonit të RTV Dukagjinit, ku ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, duke e konsideruar këtë një nga hapat e nevojshëm për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet.
“Kështu sot s’kemi ardhë me vajtu. Sot kemi ardhë me lyp përgjegjësi. Edhe t’u kisha lutë Donikë, nëse ke veç pak dinjitet, duhesh me dhanë dorëheqje”, deklaroi ajo.
E pyetur nga gazetarja për përgjegjësinë institucionale dhe për përfshirjen e mundshme të zyrtarëve të tjerë, përfshirë ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, këngëtarja tha se kritikat e saj u drejtohen të gjitha hallkave që, sipas saj, nuk arritën ta mbronin Arlindën.
“Unë kur thashë, shteti ka duart me gjak, unë fola për krejt lidhjen zinxhirore, të gjithë ata që kanë gisht, domethënë që nuk kanë arritë me i dalë zot edhe mbrojtja e Arlindës. Kaq! Faleminderit”, u shpreh ajo.
Protesta në sheshin “Zahir Pajaziti” është organizuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, e cila kishte kërkuar më parë mbrojtje nga institucionet, por nuk arriti ta merrte atë.
Përmes protestës, qytetarët dhe organizatorët po kërkojnë llogaridhënie nga institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë, si dhe masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave.