“Deri këtu po mbërrin era e duhanit”, Haxhiu kërcënon me Inspektorat deputetët që tymosin në Kuvend

11:18 | 29 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje deputetëve që ta respektojnë ligjin për ndalimin e pirjes së duhanit në ambientet e mbyllura, duke paralajmëruar se në rast të shkeljeve do të kërkojë ndërhyrjen e Inspektoratit dhe shqiptimin e gjobave.

Haxhiu, gjatë seancës së Kuvendit, tha se pirja e duhanit po shkakton shqetësim edhe në zyrën e saj, pasi era po depërton deri aty.

“Unë nuk po mundem me funksionu as vetë këtu si kryetare e Kuvendit, sepse deri këtu po mbërrin era e duhanit”, tha Haxhiu.

Ajo kërkoi nga deputetët që të mos e shkelin ligjin që është miratuar nga vetë Kuvendi i Kosovës.

“Kërkoj nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta respektojnë ligjin që e ka miratu ky Kuvend, që në ambientet e mbyllura të Kuvendit të mos pinë duhan”, deklaroi ajo.

Haxhiu paralajmëroi se, nëse deputetët vazhdojnë të pinë duhan në ambientet ku kjo ndalohet, do të kërkojë që Inspektorati të ndërhyjë dhe të shqiptojë gjoba për shkelësit.

“Përndryshe, do të detyrohemi menjëherë që me kërku nga Inspektorati që të vijë në ambientet e Kuvendit dhe të marrin gjoba deputetët, të cilët e shkelin ligjin në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Haxhiu.

Ajo e cilësoi këtë si paralajmërimin e fundit për deputetët, duke theksuar se respektimi i ligjit duhet të nisë pikërisht nga institucionet që e miratojnë atë.

“Është thirrja e fundit; prandaj, ju lutem që të keni parasysh këtë, sepse kjo realisht edhe cenon ndoshta zbatimin e barabartë të ligjit, sepse nëse ne kërkojmë nga dikush tjetër me zbatu ligjin, do të duhej që ne të ishim vetë shembulli i parë se si zbatohet ligji që miratohet nga ky Kuvend”, tha ajo.

Në fund, Haxhiu përsëriti paralajmërimin se, nëse thirrja e saj nuk respektohet, do t’i drejtohet Inspektoratit për të ndërmarrë veprimet përkatëse.

“Është thirrja e fundit, dhe në qoftë se edhe kjo thirrje nuk respektohet, do të kërkoj nga Inspektorati që të vijë dhe të ndërmarrë veprime të përputhshme me përgjegjësitë”, përfundoi kryetarja e Kuvendit.

Komento: