
Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, humbi durimin në minutat e fundit të fitores ndaj AZ Alkmaarit, duke i bërë një paralajmërim të ashpër mbrojtësit kolumbian Juan Cabal, pas një gabimi në pozicionim.
Juventusi arriti të fitojë 2-1 në udhëtim ndaj AZ Alkmaarit, në ndeshjen e së enjtes në Ligën e Evropës, falë golave të Teun Koopmeiners dhe Randal Kolo Muanit.
Megjithatë, fundi i takimit ishte mjaft i tensionuar, me trajnerin Luciano Spalletti që nuk i fshehu pakënaqësitë ndaj futbollistëve të tij.
Sipas raportimeve të mediave italiane, trajneri italian kishte shfaqur nervozizëm edhe më herët gjatë ndeshjes, për shkak të gabimeve dhe mungesës së përqendrimit nga lojtarët e tij.
Situata u përkeqësua pas disa gabimeve në mbrojtje. Fillimisht, Lloyd Kelly humbi topin në një zonë të rrezikshme, duke i mundësuar Meerdinkut të ngushtonte epërsinë në 2-1.
Pak më vonë, Juan Cabal u gjend jashtë pozicionit të tij, duke i krijuar hapësirë kundërshtarit për një tjetër aksion të rrezikshëm. AZ Alkmaar arriti të shënonte sërish, por goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.
Kamerat televizive kapën momentin kur Spalletti e thirri Cabalin pranë vijës anësore dhe i drejtoi një paralajmërim të pazakontë.
“Do të të godas me grusht herën tjetër nëse nuk ke kujdes”, dëgjohet t’i thotë trajneri futbollistit të tij.
Sipas mediumit italian Fanpage, Spalletti madje ia afroi grushtin e shtrënguar pranë fytyrës, ndërsa Cabal, i befasuar nga reagimi i trajnerit, u përpoq të sqaronte arsyen e veprimit të tij.
Mbrojtësi kolumbian ishte inkuadruar në lojë në minutën e 60-të, në vend të Andrea Cambiasos, ndërsa gazeta La Gazzetta dello Sport e vlerësoi paraqitjen e tij me notën 5.5.
Reagimet impulsive nuk janë diçka e re për trajnerin italian, i cili gjatë karrierës së tij ka pasur disa përplasje me futbollistë dhe kolegë.
Gjatë kohës te Roma, ai pati një konflikt të hapur me legjendën Francesco Totti, ndërsa te Interi vendosi t’ia hiqte shiritin e kapitenit Mauro Icardit.
Vetëm pak javë më parë, Spalletti u përfshi në një debat të ashpër me trajnerin e Cagliarit, Fabio Pisacane, pas përfundimit të ndeshjes, ku të dy u ndëshkuan me kartonë të kuq.
As për Cabalin ky nuk është rasti i parë kur përballet me reagimet e trajnerit. Në një ndeshje të mëparshme kundër Napolit, pas golit të Kenan Yildizit, Spalletti e kishte thirrur pranë vetes, e kishte kapur për fytyre dhe i kishte kërkuar me zë të lartë të mos dorëzohej.
Ndërkohë, në shkurt, Cabal u ndëshkua me dy kartonë të verdhë brenda vetëm tetë minutash në ndeshjen kundër Galatasarayt.
Në atë kohë, Spalletti e kishte përshkruar si një futbollist të ndjeshëm, i cili nganjëherë e ka të vështirë ta kontrollojë veten.
Megjithatë, trajneri italian di të jetë edhe më i afërt me lojtarët e tij. Gjatë kësaj jave, në një seancë stërvitore, ai i dha një goditje të lehtë miqësore në faqe edhe talentit, Kerim Alajbegoviq.
Pas ndeshjes ndaj AZ Alkmaarit, Spalletti pranoi se skuadra e tij e kishte vështirësuar vetë një takim që duhej ta menaxhonte më mirë.
Ai theksoi se, po të zgjaste ndeshja edhe pesë minuta të tjera, Juventusi me shumë gjasë nuk do të arrinte ta ruante fitoren, duke shtuar se skuadra duhej ta kishte shënuar edhe golin e tretë.