
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë sqarime lidhur me propozimin për rregullimin e hapësirës në lagjen Ulpiana, duke theksuar se fontana dhe hapësira përreth saj nuk do të preken.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë të ditur se në kuadër të propozimit parashihet ndërtimi i një parkingu nëntokësor nën zonën e fontanës, me qëllim të krijimit të më shumë vendeve për parkim.
Sipas tij, hapësirat ku aktualisht parkohen automjetet do t’u ktheheshin banorëve, duke u shndërruar në zona të gjelbra dhe fusha sportive.
Rama ka sqaruar gjithashtu se propozimi parasheh edhe ndërtimin e një objekti banimi, por vetëm nëse kjo do të jetë e nevojshme për akomodimin e sportistëve dhe stafit shoqërues gjatë Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Projekti “Ulpiana 2030 Legacy” nxit reagime, kundërshtohet ndërtimi në një nga lagjet ikonike të Prishtinës
Ai ka thënë se konviktet nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për të akomoduar të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa objekti i propozuar nuk do të kishte destinim komercial dhe do të ndërtohej në harmoni me arkitekturën e lagjes.
Sipas Ramës, pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare, kjo hapësirë do të mbetej në shërbim të banorëve.
Megjithatë, kryetari i Prishtinës ka theksuar se bëhet fjalë vetëm për një propozim dhe se projekti nuk do të vazhdojë nëse banorët e Ulpianës nuk e mbështesin atë.
Ai ka bërë të ditur se fillimisht plani do të diskutohet me banorët dhe, nëse merr mbështetjen e tyre, do të dërgohet për votim në Kuvendin Komunal të Prishtinës.