
Shkruan: Kenan Hoti, Aktivist i Komuniteteve nga Diaspora
Menjëherë pas luftës, mësuesi shqiptar i drejtohet nxënësit të tij nga komuniteti pakicë me një paralajmërim: gjatë pauzave dhe rrugës për në shtëpi duhet të kesh kujdes, sepse shqiptarët, për momentin, i kanë sytë e kuq. Duhet pritur me durim derisa t’u zbardhen sytë.
Këto ishin fjalët e mësuesit, me të cilat ai synonte t’i paralajmëronte nxënësit e komuniteteve pakicë për sjelljet e dhunshme dhe konfliktuale të nxënësve shqiptarë ndaj tyre.
Një paralajmërim i tillë, sado ironik të tingëllojë, dëshmonte për klimën e pasigurisë dhe të armiqësisë që mbizotëronte në periudhën e pasluftës.
“‘Maxhupët’ kanë kryer krime, kanë qenë me regjimin serb; duhet t’i grijmë e të bëjmë sapunë me ta! Duhet t’i përzëmë nga Kosova, le të shkojnë në Serbi!” Këto ishin disa nga thirrjet që dyshohet se ushqeheshin nga qarqe dhe individë që synonin një Kosovë etnikisht homogjene, pra një Kosovë të pastruar nga komunitetet që nuk i konsideronin pjesë të saj.
Anëtarë të këtyre komuniteteve u dëbuan nga vendbanimet e tyre, nga pjesë të ndryshme të rajoneve të Kosovës, ndërsa shumë prej tyre u detyruan të zhvendoseshin brenda Rrafshit të Kosovës. Dëshmi për këtë janë edhe lagjet e komuniteteve pakicë në një qytet që ndodhet rreth pesë kilometra larg kryeqytetit, të banuara nga familje të ardhura nga rajonet e Kosovës, të cilat ishin dëbuar ose ishin detyruar të largoheshin nën presion. Dëshmi është edhe kampi i Plemetinit.
Tashmë, gati tridhjetë vjet pas luftës, faktet dhe zhvillimet e vazhdueshme po dëshmojnë gjithnjë e më shumë një realitet tjetër, që bie ndesh me narrativën kolektive të fajësimit ndaj komuniteteve rom, ashkali e egjiptian: se shqiptarë të shumtë kishin bashkëpunuar me regjimin serb. Disa prej tyre kishin rrahur dhe torturuar të burgosurit shqiptarë në burgjet serbe; disa kishin spiunuar pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa të tjerë kishin dënuar me burg shqiptarë që luftonin për lirinë e vendit të tyre, Kosovës. Siç po lexojmë, disa kishin vrarë edhe akterët më të zotë të çështjes shqiptare.
Edhe sot, dëshmitë e shqiptarëve kundër pjesëtarëve të UÇK-së dhe luftës për çlirim vazhdojnë të paraqiten në procese gjyqësore. Pra, pikërisht në mesin e shqiptarëve gjenden ata që mund të cilësohen si shërbetorë të vërtetë të regjimit. Disa prej tyre janë arrestuar dhe gjykuar, ndërsa të tjerë vazhdojnë të përballen me drejtësinë.
Po “maxhupët”?
Një numër pjesëtarësh të këtyre komuniteteve kishin veshur uniformën e ushtrisë ose të policisë serbe, siç kishte shumë prej tyre që luftonin në anën e UÇK-së. Por, uniforma, në vetvete, nuk përbën krim. Krim është kryerja e veprave kriminale, përfshirë krimet e luftës, nën petkun e ushtarit apo të policit.
Megjithatë, pas gati tri dekadash, pavarësisht fushatave të vazhdueshme të akuzave dhe stigmatizimit kolektiv që nga paslufta, nuk kemi parë që pjesëtarë të këtyre komuniteteve të jenë identifikuar dhe gjykuar në Kosovë apo në gjykatat ndërkombëtare për krime lufte, qoftë në prezencë, qoftë në mungesë të tyre.
Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se krime nuk kanë ndodhur. Krime mund të jenë kryer dhe përgjegjësit duhet të japin llogari. Por, përgjegjësia penale është individuale, jo kolektive. Ky parim, megjithatë, sikur nuk ka vlejtur për “maxhupët”. Për ta, në diskursin publik, bashkëpunimi me Serbinë është paraqitur pothuajse si një tipar i pandashëm i të gjithë komunitetit.
Një pretendim i tillë jo vetëm që nuk qëndron si përgjithësim, por edhe e zhvendos vëmendjen nga përgjegjësia individuale drejt fajësimit kolektiv. Në këtë mënyrë, krijohet një klimë ku diskriminimi dhe përjashtimi etnik mund të paraqiten si të justifikuara.
Pasojat e një pretendimi të tillë po i shohim çdo ditë sot:
Urrejtja ndaj “maxhupëve” është aq e rrënjosur sa duket se ka depërtuar në pothuajse çdo pore të jetës shoqërore.
Madje, edhe një imam në një qytet hezitoi të shërbejë në xhaminë e një komuniteti të tillë, nga frika se familjarët e bashkëshortes do ta përqeshin për faktin se dhëndrri është bërë imam në “xhaminë e maxhupëve”. Diskriminimi shfaqet edhe në arsim dhe në punësim. Madje, në disa raste, edhe të vdekurve myslimanë nga këto komunitete u mohohet e drejta për t’u varrosur në të njëjtin rend me të vdekurit shqiptarë. Edhe taksitë privatë nuk u ndalen pjesëtarëve të këtyre komuniteteve!
Pastaj, mjafton t’u referohemi komenteve në rrjetet sociale sa herë që në qendër të diskutimit është ndonjë deputet nga këto komunitete. Aty shpërfaqet urrejtja e akumuluar ndër vite, e ushqyer nga paragjykimet, stereotipat dhe propaganda e pasluftës.
Për fund, mbetet një pyetje thelbësore: si është e mundur që një shoqëri që ka përjetuar vetë nënçmimin, shtypjen, dëbimin dhe dhunën, të prodhojë dhe të tolerojë forma të tilla të diskriminimit ndaj komuniteteve të tjera?
Por, pyetja nuk është vetëm si arritëm deri këtu, por edhe çfarë jemi të gatshëm të bëjmë për ta ndryshuar këtë realitet. Lufta kundër racizmit dhe diskriminimit nuk mund të mbetet vetëm në nivelin e deklaratave, por kërkon angazhim konkret nga familja, shkolla, institucionet fetare, politika, mediat dhe të gjitha nivelet e shoqërisë.
Përballja me paragjykimet, refuzimi i gjuhës së urrejtjes dhe mbrojtja e barazisë së qytetarëve duhet të bëhen pjesë e kulturës sonë shoqërore.