
Ndryshimi i pronësisë së GP Aviation në prill 2026, raportimet për hetime në Gjermani dhe detyrime financiare, si dhe lidhjet e dy emrave kryesorë në një kompani zvicerane që merret me blerjen dhe leasingun e avionëve, ngrenë pyetje që ende presin përgjigje.
Ndryshimi i pronësisë së kompanisë ajrore GP Aviation dhe raportimet e mediave ndërkombëtare për hetime, detyrime financiare dhe probleme me kompensimin e pasagjerëve kanë vënë në qendër të vëmendjes emrat e Ganesh Christian Stephan Pigës dhe Edvin Rramanajt.
Sipas raportimeve të mediave, në prill të vitit 2026 pronësia e GP Aviation kaloi nga Ganesh Piga te Edvin Rramanaj. Megjithatë, çmimi i transaksionit, burimi i financimit dhe kushtet e marrëveshjes nuk janë bërë publike.
Një element tjetër që kërkon vëmendje është lidhja mes të dyve përmes kompanisë zvicerane GP Leasing AG. Të dhënat e regjistrit tregtar zviceran, të pasqyruara edhe në platformën Moneyhouse, tregojnë se Ganesh Piga dhe Edvin Rramanaj figurojnë në strukturën drejtuese të kësaj kompanie. ORAinfo i ka dërguar puetje Rramanajt për të marrë sqarime lidhur me këto raporte afariste, por ai nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Rramanaj dhe Piga, në strukturën drejtuese të GP Leasing AG
Sipas të dhënave të publikuara në Moneyhouse, me burim regjistrin tregtar zviceran (SOGC), Ganesh Christian Stephan Piga figuron si president i Bordit të Drejtorëve të GP Leasing AG, ndërsa Edvin Rramanaj figuron si anëtar i këtij bordi.
Të dy figurojnë në këtë strukturë që nga 8 maji 2025 dhe kanë të drejtë nënshkrimi individual (Single signature).
Kjo do të thotë se lidhja mes Pigës dhe Rramanajt nuk kufizohet vetëm te raportimet për kalimin e pronësisë së GP Aviation, por dokumentohet edhe përmes pozitave të tyre në një kompani tjetër të regjistruar në Zvicër.
Sipas objektit të saj të veprimtarisë, GP Leasing AG merret me blerjen, leasingun, dhënien me qira dhe shitjen e avionëve. Objekti përfshin gjithashtu shërbime konsulence në fushën e financimit, menaxhimit dhe mirëmbajtjes së aviacionit, si dhe mundësinë e financimit dhe pjesëmarrjes në kompani të tjera.

Pikërisht ky objekt veprimtarie e bën të rëndësishme për t’u sqaruar marrëdhënien e mundshme mes GP Leasing AG dhe GP Aviation.
A janë avionët që përdor GP Aviation në pronësi të saj, apo janë marrë me qira ose përmes marrëveshjeve të leasingut? A ka GP Leasing AG kontrata me GP Aviation për furnizimin, financimin apo menaxhimin e avionëve? Dhe, nëse ekzistojnë marrëdhënie të tilla, cilat janë kushtet financiare dhe juridike të tyre?
Deri më tani, dokumentet e përmendura të regjistrit tregtar dëshmojnë pozitat e Pigës dhe Rramanajt në GP Leasing AG dhe objektin e kësaj kompanie, por nuk provojnë se GP Leasing AG ka lidhur kontrata leasingu me GP Aviation apo se avionët e kësaj të fundit janë në pronësi të GP Leasing AG.

Ndryshimi i pronësisë në kohën e raportimeve për probleme
Sipas raportimit të Tages-Anzeiger, bazuar në të dhënat e regjistrit bullgar, Ganesh Piga ia shiti GP Aviation Edvin Rramanajt më 21 prill 2026.
Megjithatë, detajet e marrëveshjes nuk janë bërë publike. Nuk dihet sa është paguar për 100 për qind të aksioneve, nga janë siguruar mjetet financiare për blerjen dhe cilat kanë qenë arsyet e transferimit të pronësisë në atë periudhë.
Ky transaksion ndodhi në një kohë kur në mediat ndërkombëtare po publikoheshin raportime për hetime në Gjermani dhe pretendime për detyrime financiare të kompanisë.
Sipas raportimit të AeroTELEGRAPH, Ganesh Piga ishte arrestuar më 15 prill 2026 në kufirin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe më pas ishte ekstraduar në Gjermani. Raportimi përmendte dyshime për mospagim të taksave të aviacionit në vlerë rreth 9 milionë euro dhe rreth 50 raste të dyshuara për periudhën nga janari 2021 deri në shkurt 2025.
Këto janë dyshime të raportuara nga mediat dhe nuk duhet të trajtohen si fajësi e provuar. Autoritetet gjermane, sipas raportimeve të mëvonshme, nuk kanë dhënë detaje të plota për çështjen, duke iu referuar kufizimeve që lidhen me sekretin tatimor. Piga është raportuar se është liruar nga paraburgimi.
Në deklarimet e tij publike, Piga ka mohuar pretendimet për probleme financiare të kompanisë dhe ka thënë se anulimet e fluturimeve lidhen me faktorë si konflikti në Lindjen e Mesme, çmimet e karburantit dhe rënia e kërkesës.
Raportimet për detyrime ndaj pasagjerëve dhe partnerëve
Përveç çështjes në Gjermani, mediat kanë raportuar edhe për pretendime lidhur me detyrime të papaguara ndaj pasagjerëve dhe kompanive që kanë bashkëpunuar me GP Aviation.
Sipas raportimeve të NZZ am Sonntag, janë ngritur pretendime për kompensime të papaguara ndaj pasagjerëve, si dhe për detyrime ndaj palëve të tjera.
Tages-Anzeiger ka raportuar gjithashtu për një proces gjyqësor në Bullgari, të lidhur me kërkesa financiare ndaj kompanisë, si dhe për pretendime të një kompanie që merret me ndihmën për kompensimin e pasagjerëve se kishte kërkesa të papaguara në vlerë gjashtëshifrore.
Edvin Rramanaj nuk përgjigjet
ORAinfo i ka drejtuar Edvin Rramanajt një javë para publikimit të këtij artikulli një sërë pyetjesh lidhur me blerjen e GP Aviation, marrëdhënien e tij me Ganesh Pigën dhe aktivitetin e GP Leasing AG. Por, deri në momentin e publikimit, nuk kemi pranuar përgjigje.
Në mesin e çështjeve për të cilat kemi kërkuar sqarime janë:
Sa ka kushtuar blerja e 100 për qind të aksioneve të GP Aviation në prill 2026 dhe cili ka qenë burimi i financimit?
Cila është marrëdhënia aktuale afariste mes Rramanajt dhe Pigës dhe a ka ky i fundit ende ndikim në vendimmarrjen e GP Aviation?
Cili është aktiviteti konkret i GP Leasing AG dhe a ekzistojnë marrëdhënie financiare, pronësore apo kontraktuale mes saj dhe GP Aviation?
A janë avionët që përdor GP Aviation në pronësi të kompanisë apo janë marrë me qira ose përmes marrëveshjeve të leasingut, përfshirë ndonjë marrëveshje me GP Leasing AG?
A ishte Rramanaj në dijeni për hetimet e raportuara në Gjermani para se të merrte përsipër pronësinë e GP Aviation?
Cili është qëndrimi i tij lidhur me pretendimet për detyrime tatimore, kompensime të papaguara ndaj pasagjerëve dhe detyrime ndaj partnerëve afaristë?
Megjithatë, redaksia mbetet e gatshme t’i publikojë sqarimet dhe qëndrimin e Edvin Rramanajt lidhur me këto qështje të ngritura.
Çështjet që kërkojnë transparencë
Të dhënat e regjistrit tregtar zviceran dokumentojnë se Rramanaj dhe Piga kanë pozita drejtuese në GP Leasing AG, një kompani me objekt të deklaruar veprimtarinë në blerjen dhe leasingun e avionëve. Ndërkaq, raportimet mediatike dokumentojnë ndryshimin e pronësisë së GP Aviation dhe kanë ngritur pikëpyetje për detyrime financiare dhe hetime.
Ajo që ende mungon është transparenca për marrëdhëniet konkrete mes këtyre kompanive: pronësia e avionëve, kontratat e mundshme të leasingut, financimi dhe detyrimet financiare. /ORAinfo/