
Personi që mbeti i vrarë nga të shtënat me armë zjarri mesditën e së mërkurës, më 18 nëntor, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, është Sylë Daka nga fshati Vërëshec.
Lajmin për identitetin e viktimës e ka raportuar mediumi lokal “Suhareka Express”.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:03, pas një mosmarrëveshjeje të çastit. Daka dyshohet se u qëllua me armë zjarri në prani të bashkëshortes dhe vajzës së tij të mitur.
Pavarësisht përpjekjeve për t’ia shpëtuar jetën, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar një person të dyshuar, ndërsa Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se i njëjti është ndaluar për 48 orë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje janë duke vazhduar.