“Do të mbesim të fundit në Evropë”, Abdixhiku kritikon politikat buxhetore të Qeverisë

17:01 | 19 Nëntor 2026

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar projektbuxhetin për vitin 2027, duke thënë se Qeveria po i kushton më shumë rëndësi ndihmave sociale sesa investimeve që do të mundësonin zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit në Kuvendin e Kosovës, Abdixhiku tha se ndihmat financiare janë të mirëseardhura për qytetarët, por ato nuk mund të zëvendësojnë investimet dhe të shërbejnë si zgjidhje afatgjatë për problemet ekonomike.

Ai theksoi se rritja e çmimeve dhe inflacioni po e rëndojnë gjithnjë e më shumë gjendjen e familjeve kosovare, ndërsa mungesa e investimeve po e pengon përmirësimin e mirëqenies së tyre.

“Një buxhet që premton paga më të larta, shtesa për fëmijë, nevoja e njerëzve është e madhe, çdo ndihmë pritet me shpresë dhe rrethanat e tanishme kjo ndihmë është e vetmja. Shihni inflacionin e këtij viti, pastaj tregoni një familjes kosovare që pret ndihmat e shtetit, sesi mjet vetëm ndihmese i këtyre ndihmave është edhe burimi i problemeve tyre. Prandaj, e kuptoj vështirësinë e një teme si kjo në sy të publikut. Kjo e vërtetë na thotë qartë se me shtet social, me ndihma, pa investime nuk kemi për të pasur asnjëherë jetë të mirë në Kosovë, do vazhdojmë të mbesin të fundit në Evropë kështu”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së paralajmëroi se mbështetja e vazhdueshme në ndihma financiare, pa investime të mjaftueshme, mund të krijojë një cikël ku rritja e çmimeve shton nevojën për ndihma të reja, të cilat, sipas tij, do të kontribuonin sërish në rritjen e çmimeve.

Ai kërkoi që Qeveria t’u japë përparësi investimeve në sektorët strategjikë, veçanërisht në energji dhe infrastrukturë. Sipas tij, Kosova ka nevojë për projekte të mëdha zhvillimore dhe investime që do të zvogëlonin varësinë nga importi i energjisë elektrike.

“Do na rriten më shumë çmimet, do kemi nevojë për më shumë ndihma për këto çmime, e këto ndihma do të rrisin përsëri çmimet. Dhe në gjithë këtë spirale ekonomike do të mbesim pa gjënë e vetme, pa investime.. Mund të bëhen dyja edhe ndihmat edhe investimet, por më shumë investime sesa ndihma. Kjo duhet të jetë politika e vendit më të varfër në Evropë. Nuk ka sektorë që nuk ka nevojë për investime drastike. Duhet të kemi investime në energji, po blejmë rrymë. Mundemi të ndërtojmë centrale të reja. Duhet të ketë investime në infrastrukturë, në rrugë. Marre e madhe për besë që ende flasim për asfalt, vetëm rrugë duhet me shtrua”, deklaroi Abdixhiku.

Ndryshe, projektbuxheti për vitin 2027, i prezantuar nga kryeministri Albin Kurti, parasheh shpenzime në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh.

Komento: