
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka realizuar një operacion në Mitrovicën e Jugut, ku është arrestuar një person i dyshuar për përfshirje në veprimtari të lidhura me narkotikët.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka njoftuar se gjatë operacionit janë sekuestruar 51.2 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, një pjesë e së cilës ishte e përgatitur për shitje.
Po ashtu, janë sekuestruar dy telefona celularë dhe 1 mijë e 155 euro para të gatshme.
Sveçla ka theksuar se lufta kundër trafikantëve dhe shpërndarësve të drogës do të vazhdojë në çdo cep të vendit.
“Të gjithë ata që merren me trafikimin dhe shpërndarjen e narkotikëve do të përballen me institucionet e rendit dhe drejtësisë. Nuk do të ketë askund hapësirë për veprimtarinë e tyre kriminale”, ka shkruar ministri.
Ai ka shtuar se lufta kundër kësaj dukurie do të jetë e pandalshme, orë pas ore.