
Daut Krasniqi, vëllai i Jakup Krasniqit, u shpreh i emocionuar për ngritjen e lapidarit në nderim të të vëllait, por e cilësoi “çnjerëzore” pamundësinë për ta takuar dhe për të folur me të gjatë vizitës së fundit në Kosovë.
“Çka të bëjsh për të është mirë. M’u rrit zemra kur e pashë fotografinë. Një lajm i mirë është për fshat.Ajo nuk është normale, ma së pari humane, çka të duash thuaj. Me ardhë e familjen mos me mujt me pa. A ka gjë ma të rëndë se me pa tu hi e tu dalë e mos me mujt me fol me të? Për çka, unë nuk e di çka ka bo?”, deklaroi Daut Krasniqi.
Ai shtoi se Jakup Krasniqi ishte dorëzuar vetë dhe nuk kishte nevojë për shoqërim policor, ndërsa tregoi se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk e ka vizituar në Hagë që nga viti 2024.
“Jakupin s’ka pasë nevojë me sjellë policët hiç, se ai vetë u shku. Ata janë dorëzu vetë. Ma keq për jetën teme s’ka pasë kurrë. Prej vitit 2024 nuk e kam pa ma, s’kam pasë mundësi me shku atje në Hagë, se s’jam kanë mirë”, u shpreh ai.
Në fund, Daut Krasniqi deklaroi se nuk ka asnjë pikë besimi në Gjykatën e Apelit lidhur me procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Asnjë pikë besimi nuk e kam në Gjykatën e Apelit, as e kam pasë”, përfundoi ai.