A do të ketë karrige për amerikanët në dialogun Kosovë-Serbi të drejtuar nga BE, flet Stano

16:48 | 04 Gusht 2020

Stano tregon nëse do të ketë karrige për amerikanët në dialogun Kosovë-Serbi të drejtuar nga Bashkimi Evropian.

Nga Bashkimi Evropian thonë se SHBA-në e kanë partner të rëndësishëm dhe se kanë komunikim e synime të përbashkëta për rajonin e Ballkanit Perëndimor e dialogun Kosovë-Serbi.

Megjithatë lënë të kuptohet se në negociatat që drejton Brukseli nuk do të ketë një karrige për ndonjë përfaqësues amerikan ashtu siç kërkon koordinatori i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Skënder Hyseni.

Që pas emërimit në pozitën e koordinatorit për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, ka takuar përfaqësues të lartë të BE-së të cilët e kanë rifilluar dialogun e bllokuar për gati dy vjet.

Por, Hyseni dje ka qëndruar në Washington ku është takuar me Përfaqësuesin Special të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
Pas këtij takimi, i deleguari i qeverisë kosovare ka kërkuar që edhe SHBA të jetë prezente në tryezën e dialogun të Bruskelit.

“Duke konstatuar dhe theksuar se krahas BE-së, roli i SHBA-ve në këtë proces është i pazëvendësueshëm, me përunjësi i kërkova Zotit Palmer praninë e përhershme aktive të SHBA-së në tryezën e bisedimeve në Bruksel”, ka thënë Hyseni pas takimit me Palmer në Washington.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thotë se pjesëmarrësit e vetëm në tryezën e dialogut janë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të cilët priten nga Miroslav Lajcak dhe Josep Borell.

“Rruga drejt Bashkimit Evropian për Kosovën (gjithashtu edhe për Serbinë) kalon përmes dialogut të lehtësuar nga BE. BE si lehtësues i dialogut punon që nga viti 2011 me Beogradin dhe Prishtinën drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të raporteve. Pjesëmarrësit e dialogut janë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë dhe ata priten nga Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell, dhe Përfaqësuesi Special, Miroslav Lajcak”, ka thënë Stano.

Megjithatë Stano thotë se mirëpresin iniciativat në përkrahje të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe thekson se për dialogun Kosovë-Serbi kanë bashkëpunim me partnerët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se Washingtoni e Brukseli kanë të njëjtat qëllime për rajonin.

“Kur bëhet fjalë për përfshirjen e palëve të treta në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë për t’u pajtuar për një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve të tyre, ne mirëpresim të gjithë iniciativat në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Për BE’në, SHBA’ja është një partner i rëndësishëm. Ne kemi të njëjtat synime për rajonin, dhe mbështetja e SHBA’së që ofrohet për dialogun e lehtësuar nga BE është e mirëseardhur dhe ne komunikojmë me partnerët tonë nga SHBA gjithashtu edhe për këtë çështje”, ka shtuar tutje Stano.

Në fund, zëdhënësi i BE’së ka rikujtuar që dialogu Prishtinë-Beograd i organizuar dhe lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka rinisur në muajin e fundit me dy takime të nivelit të lartë dhe ka pasur me takime në nivel ekspertësh. Takimet e grupeve të ekspertëve ai thotë se do të rifillojnë në fund të gushtit.

Skënder Hyseni pas emërimit në pozitën e koordiantorit ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të BE’së dhe SHBA’së.

Më 23 prill në Bruksel është takuar me Përfaqësuesin Special të BE’së, Miroslav Lajcak, një ditë më pas po ashtu në kryeqytetin e dialogut ka takuar edhe Asistent Sekretarin Kryesor për Evropë dhe Euroazi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Philip Reeker.

Pas këtyre takimeve në Evropë, Hysenii gjatë të hënës ka qëndruar edhe për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Washington ai është takuar me Përfaqësuesin Special të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

Por, Palmer, sipas fjalëve të Hysenit, nuk ka thënë se SHBA do të jetë formalisht pjesë e bisedimeve por do t’i qëndrojë afër Kosovës.

“Zoti Palmer theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin dialogun në Bruksel duke shtuar se Amerika do të jetë me Ju përgjatë gjithë këtij procesi, në përkrahje të fuqishme për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse” ka shkruar Hyseni.

Hyseni në Kosovë ka takuar edhe përfaqësues të partive politike në Kosovë në kërkim të unitetit për fazën finale të dialogut.

Takimet e nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë pritet që të rinisin në muajin shtator.

Komento: