A po destabilizohet sërish veriu? Flasin ish-shefat e sigurisë së Kosovës

18:07 | 16 Janar 2024
a-po-destabilizohet-serish-veriu?-flasin-ish-shefat-e-sigurise-se-kosoves

Deklarata të shumta të krerëve institucionalë të vendit që Serbia po planifikon ta sulmojë Kosovën po përsëriten mjaftë shpesh kohëve të fundit.

Madje, një e tillë u tha edhe mbrëmë nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri u shpreh se rreziku për sulm të Kosovës nga Serbia mbetet i madh.

Por, që sipas tij, Kosova është më e gatshme se kurrë për t’u ballafaquar me kërcënime të tilla, shkruan Front Online.

Ndërsa, javën e kaluar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se ngjarje të dhunshme në veri të Kosovës, pas ngjarjeve në Banjskë në shtatorin e vitit të kaluar, Uashingtoni nuk do të lejojë të përsëriten.

Se a mund të ketë destabilizim në veri të vendit, për Front Online kanë folur njohës të fushës së sigurisë.

 

Qalaj: S’ka rrezik të drejtpërdrejtë për sulm ushtarak nga Serbia, mund të ketë incidente të vogla

Deputeti i PDK-së, njëherit anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rashit Qalaj ka deklaruar për Front Online se nuk sheh ndonjë rrezik që Kosova të sulmohet nga Serbia.

Por, se incidente sikurse që ishte rasti i Bansjkës mund të përsëriten.

“Ne e dimë që Kosova është duke u mbrojtur ushtarakisht edhe nga forcat e NATO-s, pra nga KFOR-i dhe mendoj që Kosova nuk ka ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë për sulm ushtarak nga Serbia, mirëpo Kosova është në rrezik nga incidentet e mundshme që mund të ndodhin brenda Kosovës sikurse që ishte rasti i Banjskës më 24 shtator”, është shprehur Qalaj për Front Online.

Deputeti ka përmendur edhe dislokimin e ushtrisë së Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, duke thënë se institucionet e sigurisë duhet të bëjnë plane se si të veprojnë,  në rast të ndonjë incidenti eventual .

“Qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës është armiqësor dhe kjo nuk është asgjë e re. Ju e keni parë që Serbia shpesh i dislokon përgjatë kufirit me Kosovën edhe njësitë e saj ushtarake dhe policore, mirëpo mendoj që Qeveria e Kosovës dhe Kosova në përgjithësi duhet të jenë të gatshëm fillimisht të përcjellin situatën me vëmendje, pra agjencionet e sigurisë, policia, AKI-ja të jenë të gatshme me informata dhe të bëjnë plane në rast të ndonjë incidenti eventual të përgjigjen në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka shtuar ai.

Ndërsa, deklaratat e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti që Serbia mund ta sulmojë Kosovën po thotë se i bëjnë dëm kësaj të fundit.

“Unë e shoh pak më ndryshe situatën sepse tashmë botërisht dihen deklaratat e kryeministrit, presidentes të cilët na vazhdimësi thonë se Kosova është në rrezik ushtarakisht nga Serbia. Unë mendoj se këto deklarata nuk janë të shëndosha dhe i bëjnë dëm Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Qalaj.

 

Ish-zv.ministri i Brendshëm: Në veri mund të ketë incidente, por jo sulm në shkallë të gjerë

Që mund të ketë incidente të vogla në veri të vendit , e thotë për Front Online edhe Valdet Hoxha, ish-zv.ministër i Punëve të Brendshme.

Por, jo një sulm në shkallë të gjerë.

Ani, pse deklaron se përpjekjet për destabilizim nga Serbia janë më evidente se kurrë.

“Incidentet e natyrës që mund të quhen të vogla janë kërcënim permanent ndaj vendit tonë, sidomos në pjesën veriore të vendit, por që një sulm në shkallë të gjerë apo siç ishin planifikimet e Serbisë me sulmin e Bansjkës për aneksimin e veriut të vendit, tash pas ofenzivës qoftë diplomatike por edhe demonstrimit  të fuqisë ushtarake, por besoj që NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendos vijat e kuqe Serbisë që çdo gabim eventual, demonstrim i forcës apo retorikë nxitëse ndaj Ballkanit është e dënueshme dhe nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë”, është shprehur Hoxha për Front Online.

Sipas tij, gjasat që Serbia të përdor ushtrinë janë minimale.

Dhe, krejt kjo siç thotë Hoxha shkak i vendosmërisë së NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Duke parë mekanizimin e kërcënimit dhe përgatitjeve ushtarake karshi Kosovës dhe që janë serioze këto përgatitje u dëshmua me sulmin në Banjskë, por sa janë gjasat reale dhe a ka guxim Serbia me përdor ushtrinë unë po besoj që gjasat janë minimale dhe kjo përveç natyrshëm përgatitjeve mbrojtëse të vendit tonë, besoj se kruciale është vendosmëria e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mos me leju ndikimin rus në Ballkan e brenda Ballkanit e kam fjalën për veriun e Kosovës dhe Republikën Serbska në Bosnje”, ka shtuar ai.

 

Drizan Shala: Aktualisht s’mund të ketë destabilizim të situatës në veri

Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala deklaron për Front Online se në veri të vendit aktualisht nuk mund të ndodhë ndonjë destabilizim i situatës.

“Incidente të vogla mund të kemi, por ndonjë destabilizim të përmasave më të larta në projeksionet aktuale nuk mund të ndodhë”, ka thënë Shala.

Sipas tij, deklaratat që vijnë nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti bazohen në informacionet që u janë ofruar nga institucionet e sigurisë e që janë Policia dhe Agjencia Kosovare e Intelegjencës.

Shala, pohon se pavarësisht kësaj Policia dhe AKI-ja kanë ndërmarrë veprimet e tyre preventive.

“Por, çka mund të thuhet është fakti se Policia dhe AKI-ja kanë ndërmarrë veprimet e tyre preventive, janë në koordinim të plotë më faktorin ndërkombëtar dhe mbi këtë bazë nuk shoh ndonjë mundësi që të kemi një përshkallëzim në masën më të lartë e cila mund të qojë në një konflikt të armatosur, por që incidente të ngjashëm mund të hasim por varësisht nga intensiteti politik dhe dëshirës së Beogradit zyrtar për ta destabilizuar rajonin”, ka shtuar ai.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Millan Radoiçiq, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.

Kurse, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se që nga viti 2021 deri më tani, Policia e Kosovës ka qenë cak i 114 sulmeve në veri, kryesisht të kryera nga grupi, që sipas tij, kreu sulmin në Banjskë.

Kosova sulmin në Banjskë e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë për të.

Beogradi mohon përfshirjen në këtë ngjarje./Front Online

 

 

Komento: