A u bllokua procesi i njohjeve nga ideja për shkëmbimin e territoreve?

18:28 | 25 Prill 2019

116 shtete kanë njohur Kosovën, që nga shpallja e Pavarësisë.

Procesi i njohjeve ndaj Republikës së Kosovës pothuajse është bllokuar i tëri.

Qysh kur Behgjet Pacolli ka ardhur në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, shteti ynë ka marrë vetëm dy njohje.

Edhe pse u kritikua shumë nga akterë politik, shoqëria civile dhe mediat, Pacolli thotë se nuk po ndalet duke lobuar në të mirë të vendit tonë.

“Nuk jemi ndalur asnjëherë dhe vazhdojmë të lobojmë për njohje të reja. Shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën janë përcaktuar sipas interesave të tyre gjeostrategjike dhe oportune. Procesi i ndryshimit të kursit të tyre është i gjatë”, ka thënë ministri i Jashtëm në një prononcim për lajmi.net.

Sipas tij, në këtë drejtim janë bërë hapa të mëdhenj.

“Ne nuk ndalemi dhe janë bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim ku kemi garantuar mbështetjen e këtyre vendeve, edhe pse njohja formale ende nuk ka ardhur”, ka shtuar Pacolli.

Pacolli shumë herë ka deklaruar se për ndaljen e këtij procesi fajtor është shteti serb, pasi diplomacia e tyre e jashtme vazhdimisht ka lobuar kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Por një nga njohësit e çështjeve integruese po mendon ndryshe.

Taulant Kryeziu nga instituti EPIK, thotë se ideja e shkëmbimit të territoreve e ka cenuar subjektivitetin tonë ndërkombëtar.

“Me daljen publike të idesë së shkëmbimit të territorit ide e cila e ka cënu rëndë subjektivitetin tonë ndërkombëtar realisht ka prekë mbi vulën që e ka dhënë gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, e cila e ka konfirmu ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, deklaratë brenda së cilës ne kemi marrë njohje më shumë se 100 shtete, deklaratë se si Kosova e ka ndërtuar shtetësinë e saj, ne kemi hap ide me të cilat po flasim për territore”.

Sipas tij, diskutimi për vijën kufitare ka qenë gabim i madh dhe ka penguar këtë proces.

“Ne e dimë se territori së bashku me pushtetin dhe popullsinë përbëjnë tri elemente kryesore të shtëpisë së një vendi, edhe kur ti vet në mënyrë të vullnetshme hap ide të tilla të cilat prekin territorin dhe japin mundësinë që marrëveshja me Serbinë të nënkuptojë edhe riaranzhim të vijës kufitare, atëherë normal që vendet të cilat kanë tendencë për me njoh Kosovën gjëja e parë që e bëjnë është hezitimi duke mos e ditë se mbi çka duhet njohur ky vend i cili ende po diskuton për vijën e vet kufitare. Kjo ka qenë një gabim i madh dhe retorika ka shku në atë se si t’i pengojmë çnjohjet”, ka deklaruar Kryeziu për lajmi.net.

Ai ka theksuar se çdokush që ka promovuar ide të cilat dalin jashtë deklaratës së pavarësisë së 17 shkurtit 2008, të gjitha ato kanë shkuar në kundërshtim apo kanë pengu fuqizimin e këtij subjektiviteti.

Theksojmë se mediat serbe vazhdimit kanë raportuar për tërheqje të njohjes së Kosovës nga vende të ndryshme, mirëpo këto raportime nuk janë konfirmuar asnjëherë nga institucionet kosovare.

Komento: