AAK ende pa kryetar që nga dorëheqja e Haradinajt – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
6 °C

AAK ende pa kryetar që nga dorëheqja e Haradinajt

20:10 | 15 Janar 2020

AAK-ja, ka mbetur pa kryetar, që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt.

Ramush Haradinaj s’do t’i ushtrojë më dy funksionet udhëheqëse që i mbajti deri më tani.

Dorëheqja e 19 korrikut nga posti i kryeministrit u përcoll me dorëheqjen e tij të dytë nga posti i kryetarit të partisë, shkruan lajmi.

Kësisoj me mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të AAK-së, pritet edhe zgjedhja e kryetarit të ri të këtij subjekti, e që për këtë pozitë nuk është se janë përfolur shumë emra.

Sidoqoftë, personi më i afërt që në të ardhmen flitej se mund ta merrte postin e kryetarit, Daut Haradinaj, nuk do të jetë fare pjesë e garës. Ai ka konfirmuar se do të jetë vetëm kandidat për kryetar dege në Deçan, mirëpo jo për të parin e partisë.

Në këtë formë, sipas njohësit të çështjeve politike, Blerim Burjani, nëse asnjëri nga vëllezërit Haradinaj nuk marrin pozita udhëheqëse në parti, AAK-ja, sipas tij, mund të shuhet.

Madje, Burjani AAK-në e quan “pronë të Haradinajve”.

“Kjo është e çuditshme sepse pa Ramush Haradinajn nuk ka AAK. Nëse ky heq dorë nga kandidatura, atëherë kjo parti mund të shuhet. Pra po vijnë kohë të vështira apo po shkon kah fundi kjo parti, sepse është një lloj prone e Ramushit dhe e Haradinajve”, thotë Burjani.

E me gjasë, Ramush Haradinaj do të marrë edhe një mandat si kryetar i partisë.

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj për lajmi. konfirmon se Haradinaj e ka përkrahjen absolute të partisë.

Megjithatë, data e mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor nuk është caktuar akoma.

“Data e Kuvendit nuk është caktuar. Fillimisht duhet të mbahen Kuvendet nëpër nëndegë, degë e pastaj kur këto të kryhen, fillon përgatitja për Kuvendin Qendror. Me ndryshimet staturore e kemi një kandidat një votë. Njëkohësisht është e lejuar që secili kandidat të ketë mundësi me qenë edhe kandidat për kryetar. Por kryetari e Ramush Haradinaj e ka përkrahjen e pakontestuar”, ka thënë Kadriaj për lajmi.net.

E Haradinaj që pritet të jetë sërish kryetar i partisë, sipas Blerim Burjanit është përfaqësimi i vetëm i AAK-së.

Ai thotë se edhe në alternativa tjera, nëse zgjidhet kryetar tjetër në AAK, ai sipas tij do jetë ose njeri i dëgjueshëm e kryetarit në fuqi, ose vëllai i tij, Daut Haradinaj.

“Kjo parti dikush ishte koalicion, por tash është vetëm një njeri, pra Ramushi, i cili i ka votat. Këta të tjerët nuk përfaqësojnë asgjë për këtë subjekt. Nëse ndodhë kjo më nuk është edhe aq me rëndësi kush do të jetë kryetar, në post vjen një njeri i dëgjueshëm i Ramushit, ose vëllai i tij”, thotë Burjani.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit më 19 korrik të vitit të kaluar, pasi mori ftesë nga Specialja në cilësinë e të dyshuarit.

Gati dy muaj më vonë, më 6 tetor u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, mirëpo që as përfundimi i tyre nuk i solli qeveri të re Kosovës, me LDK-në dhe VV-në që si fituese të zgjedhjeve nuk po mund të merren assesi vesh për ndarjen e posteve.

Komento: