AAK-ja synon presidentin me program qeverisës për ekonominë

14:41 | 13 Janar 2021

Edhe pse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur synimin që të udhëheqë me postin e presidentit, dhe jo me qeverinë, kjo parti vazhdon të përsërisë se ka përpiluar një program të fokusuar për situatën ekonomike.

Në një konferencë për media, kandidati për president, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka thënë se partia e tij hyn në zgjedhje “më e përgatitur se kurrë”.

“E kemi përfunduar programin që është i fokusuar për situatën ekonomike dhe gjendjen me pandeminë. Kemi fondin e rimëkëmbjes prej 1 miliard euro dhe jemi në proces me përmbyllë sot listën e kandidatëve për deputetë. Duke i ofruar Kosovës udhëheqjen nga përgjegjësia e presidentit, kemi marrë përgjegjësi për të qenë gardianë”, ka thënë Haradinaj teksa ka ftuar diasporën që të votojë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai ka prezantuar Arbnora Hasanin si kandidate të AAK-së nga diaspora. Ka njoftuar se ajo jeton në Gjenevë.

Në anën tjetër, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se “Kosova ka nevojë për një president aktiv dhe të përgatitur”.

Sipas saj, Ramush Haradinaj gëzon respektin te shumë liderë ndërkombëtarë.

Kandidati për president ka thënë se pas zgjedhjeve, “AAK-ja s’ka vija të kuqe për asnjë subjekt tjetër politik”.

Ka përsëritur se garon vetëm për postin e presidentit.

Komento: