Abbott dhe Rohde dënojnë djegien e veturave në veri: Akt i papranueshëm, të zbulohen përgjegjësit

15:24 | 31 Mars 2023

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka reaguar pas djegies të disa veturave me targa RKS, në veri të vendit, pesë sosh në dy ditët e fundit.

Abbott ka thënë se djegia e veturave pas riregjistrimit në targa RKS në veri të Kosovës është e papranueshme.

Ai ka kërkuar që të ketë hetime të shpejta për këto akte dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

“Djegia e veturave pas riregjistrimit në targa RKS në veri të Kosovës është e papranueshme. Të gjithë akterët seriozë politikë duhet t’i dënojnë këto akte dhune dhe rreziqet që ato paraqesin për stabilitetin dhe paqen.

Hetimet e shpejta për këtë kriminalitet janë të nevojshme dhe duhet të kryhen me ndjeshmëri dhe seriozitet”, ka shkruar Abbott.

Për këtë akt ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde,

Rohde ka thënë se dhuna nuk është asnjëherë opsion.

“Unë kam besim të plotë që autoritetet kosovare do të hetojnë rastet plotësisht dhe do të sjellin përgjegjësit para drejtësisë”, ka shkruar diplomati gjerman.

Djegien e veturave të serbëve në veri, e ka dënuar edhe shefi i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog.

Szunyog ka thënë se kjo vepër që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është i mjerueshëm, i papranueshëm dhe duhet dënuar.

“Dënojmë ashpër djegien e automjeteve të ri-regjistruara së fundmi në targa të Kosovës në veri të Kosovës. Shkatërrimi i pronës private, që ka ndodhur gjatë 2 ditëve të fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është i mjerueshëm, i papranueshëm dhe duhet dënuar nga të gjithë aktorët përkatës”, ka shkruar ai.

Për djegien e veturave në veri kanë reaguar edhe nga kabineti i presidentes Osmani kanë reaguar duke thënë se strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë fushatën e orkestruar të frikësimit kundër serbëve vendas në veri të Kosovës.

Blerim, Vela shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani ka thënë se Serbia po përpiqet të krijojë një klimë frike në prag të zgjedhjeve të 23 prillit.

Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, incidentet e fundit në veri ka thënë se janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri.

Ai ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të fillojnë urgjentisht me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.

Komento: