Abrashi paralajmëron zgjedhje në janar

13:27 | 13 Dhjetor 2020

Ministri i LDK’së paralajmëron zgjedhje në janar.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, njëherit sekretar i përgjithshëm i LDK’së, thotë se nëse partitë nuk merren vesh për zgjedhjen e Presidentit, atëherë vendi në janar shkon në zgjedhje parlamentare.

“Nëse nuk ka zgjidhje, në janar përgatitemi për zgjedhje”, thotë Abrashi.

Ai thotë se LDK’ja ka gatishmëri dhe organizim për zgjedhje dhe se, duke e cituar kryetarin e partisë Isa Mustafën, Abrashi shton se zgjedhjet duhet të përfundojnë para marsit, kur vendi duhet ta ketë Presidentin e ri.

LDK-ja ka një organizim të mirëfilltë nëpër degë dhe nëndegë nëpër komuna. Kryetari Mustafa e ka bërë të qartë që në qoftë se nuk ka zgjidhje shumë shpejt, gjatë fillim janarit ne duhet të përgatitemi ose po rrëshqasim drejt zgjedhjeve, sepse ato duhet të përfundojnë më herët në mënyrë që vendi të mos mbetët pa president, pasi ushtruesja e detyrës e ka një afat gjashtëmujorë, kështu që do të shfaqeshin problemet se kush do t’i certifikojë zgjedhjet por edhe problemet tjera që mund të lindin nga jo stabiliteti politik”, thotë Abrashi në një intervistë për Kosovapress.

Kuvendi duhet ta zgjedh presidentin e ri para javës së dytë të marsit të vitit 2021, shkruan Gazeta Express.

Momentalisht në krye të shtetit është ushtruesja e detyrës së Presidentit, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, pasi presidenti i zgjedhur Hashim Thaçi, që ishte në fund të mandatit të tij, po mbahet në Hagë, nën akuzat për krime lufte.

Deri tash, prej partive politika parlamentare, është kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, e ka shpallur kandidaturën për President. Mirëpo, ai nuk ka marrë përkrahje as nga partnerët e koalicionit qeverisës, LDK e Nisma, e as nga opozita.

Komento: