Ahmeti pas takimit me Zemajn tregon a do të hyjë Prishtina në karantinë

11:59 | 27 Tetor 2020

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar sot se nuk do të tolerohet askush që nuk respekton masat anti-COVID. Ai tha se qytetarët duhet të respektojnë masat, në mënyrë që të mos ketë masa shtesë.

Pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, Ahmeti në një konferencë për media tha se duhet bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, që të mos merren masa restriktive.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me ministrin Zemaj. Do të punojmë bashkë të mos ketë restrikcione shtesë, po mundohemi mos me pasë, nuk varet nga komuna dhe ministria, por nga qytetarët. Nuk jemi të interesuar të bëjmë karantina, me e reduktua orarin, por kjo ndodh vetëm nëse jemi na bashkëpunim me qytetarët dhe respektohen masat”, ka deklaruar Ahmeti.

“Dje kam ngritur një alarm, sepse para një muaji kemi pasur një krizë më të madhe kur tjerët vende nuk e kanë pasur. Krejt Evropa është duke shku kah mbyllja, kurse ne kemi pasur nën 100 raste në 1 milion banorë”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se numri i rasteve në Prishtinë është më i madh se në qytetet tjera sepse në kryeqytet po bëhen më shumë testime.

“Jemi të brengosur për shtimin e rasteve, ju lusim të punojmë bashkë, të mos na detyrojnë të bëhemi më inspektorë se inspektorët. Nëse kafiteritë duhet të mbyllën në 23:30, do të mbyllen në 23:30. Te kafet e rakisë brenda nuk ka njerëz, por në rrugë rrinë rreth 200 veta. Numri i rasteve në Prishtinë është më i madh, sepse ka më shumë testime”, ka thënë Ahmeti.

Komento: