Albini u dorëzua, pasi ju zbulua pazari me serbët

Shkruar nga: Mero Baze

21:59 | 13 July 2023

Albin Kurti më në fund u dorëzua përballë sanksioneve të Bashkimit Evropian. Edhe pse në fillim tha “shpresoj të mos zgjasin shumë”, duke i cilësuar ato si të padrejta, ndërsa kritikat e sekretarit Blinken si naive, ai pranoi sot zyrtarisht se ka pranuar të tërheqë policinë nga Veriu i Kosovës dhe të mbajë zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe.

Asgjë e re nuk ka ndodhur në harkun e këtyre dy javëve për t’u “dorëzuar”, përveç publikimit të audio përgjimeve të shefes së grupit parlamentar të Albin Kurtit, Mimoza Kusari, me liderin famëkeq të serbëve, Milan Radojçiq.

Kryeministri populist, i cili bënte sikur luftonte për të mbrojtur Veriun e Kosovës, në të vërtetë rezulton i koordinuar me qarqet ekstremiste serbe për këtë situatë dhe në momentin që u bën publike pazaret e tij, u dorëzua.

Për të gjithë ata që më kanë sulmuar mua dhe dhjetëra kolegë gazetar gjatë kësaj kohe, pse akuzonim Albin Kurtin se po shkatërron të ardhmen e Kosovës duke hyrë në krizë me Perëndimin dhe duke humbur besueshmërinë e shtetit të Kosovës në Perëndim, tani ka një shpjegim të qartë se arsyeja e këtij akti shkatërrues të Albin Kurtit kundër Kosovës, nuk ka qenë patriotizmi, por e kundërta e tij, pazaret me serbët radikalë.

Madje me ata serb që janë delet e zeza të Perëndimit në rajon. Në gjithë këtë betejë, Albin Kurti ka pasur aleatë listën e zezë të SHBA në Shqipëri, kryesuar nga Sali Berisha, dhe listën e zezë të SHBA në Serbi, kryesuar nga Milan Radojçiq.

Dorëzimi i tij, është një akt pozitiv për Kosovën, por një akt që vjen me një faturë të rëndë, të cilën do ta paguajë gjatë, pasi Kosova ka dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme besueshmërinë e saj si shtet në raport me Perëndimin.

Albin Kurti nuk u dorëzua se ju mbush mendja befas që duhet të dëgjojë Perëndimin, por u dorëzua se ju zbuluan pazaret me serbët.

Bilanci i kësaj beteje të hidhur të Albin Kurtit me Perëndimin, është tani izolimi i Kosovës, dëmtimi i besueshmërisë së saj, forcimi i kredencialeve të Serbisë si shtet më i besueshëm se Kosova. Mjafton të kujtojmë se sekretari i Përgjithshëm i NATO është gati të takojë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërkohë që Albinit nuk i lejon as ushtarët e Kosovës të bëjnë stërvitje të përbashkët.

Të gjithë ata që e mbështetën në këtë marrëzi, tani kanë paturpësinë të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe i kërkojnë Evropës të heqë urgjent sanksionet ndaj Kosovës.

Pse kështu?

A nuk jeni ju, që thoshit se sanksionet e bëjnë Kosovën më të fortë dhe rrisin autoritetin e saj? A nuk jeni ju që thoshit se SHBA dhe Perëndimi po bëjnë lojën e Serbisë? SI ndodhi që tani fare papritur jeni dakord me Perëndimin dhe kërkoni që sanksionet të hiqen një orë e më parë?

Arsyeja është një dhe e vetme. Publikimi i audio përgjimeve të shefes së grupit parlamentar me radikalët serb, fyerja që ajo u bën veteraneve të luftës së Kosovës dhe ish- kryeministrit të Kosovës, që t’u krijojë atyre konfidencë politike, e kanë zuluar garniturën politike të Kosovës, si një hallkë e shtuar e radikalëve serbë në very, që në bashkëpunim me ta, ta mbajnë atë rajon të destabilizuar dhe të fajësojnë Perëndimin.

Reagimi i SHBA ndaj përgjimeve ishte i qartë. Ambasadori i SHBA në Kosovë tha se qeveria e di se nuk duhet të bashkëpunojë me persona që janë në listën e zezë të SHBA. Albin Kurti u doli zot audio përgjimeve, duke sulmuar gazetarin që i publikoi, si për të na bindur të gjithëve se gjërat nuk kanë ndodhur rastësisht.

Dorëzimi i tij, është thjeshtë frika se po i afrohej listës së zezë të SHBA dhe rrezikon pushtetin në Kosovë. Gjithçka është vetëm në funksion të axhendës ë tij personale.

Megjithatë Kosova duhet të marrë frymë lirisht që u gjet një mënyrë se si ky kryeministri i saj, të mos shkatërrojë të ardhmen e saj. Zbulimi i pazareve të tij me serbët radikal, shpjegon gjithçka. Shpjegon arsyet përse Kurti krijoi atë krizë artificiale në Veri, përse refuzonte SHBA dhe BE, dhe përse hiqej i sigurt se nuk do të tërhiqej nga ajo situate, pavarësisht sanksioneve.

Publikimi i skandalit, bëri që ai ta ndjejë veten të pasigurt dhe brenda koalicionit, dhe në opinion publik, por mbi të gjitha, të pasigurt dhe në zyrat e SHBA dhe Evropës, ku po skedohet si shok i Milan Radojçiq.

Dhe kaq mjaftoi të dorëzohej. Kaq mjafton dhe për të kuptuar se vet ai, nuk është as “tigër prej letre”, siç ka qejf ta quaj Perëndimin, ministrja e tij e Jashtme, por një mace e përkëdhelur e tigrave serb të Arkanit, që sapo i zbulohen lidhjet dorëzohet dhe bën sikur pranon diktatin e Evropës.

Në fakt e vetmja gjë që ka pranuar me këtë akt, është dijenia e tij e plotë për koordinimin me serbët radikalë, dhe mos koordinimi me SHBA, BE dhe Shqipërinë, “në ballkonin e hapur të qeverisë” së tij. Nga aty e ka kuptuar se mund të rrëzohet lehtë, si çdo njeri i tronditur në një ballkon pa parmakë.

Komento: