Ambasadori amerikan u shtron darkë në rezidencën e tij “Ekipit të Unitetit”: Diskutuam për të ardhmen e Kosovës

21:39 | 31 Maj 2022

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka shtruar sonte darkë në rezidencën e tij “Ekipit të Unitetit”, që ka qenë ekipi negociues i Kosovës në Vjenë, negociata këto që i kanë paraprirë shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Hovenier ka publikuar fotografinë e përbashkët me Enver Hoxhajn, Veton Surroin, Ardian Gjinin, Agim Çekun, Fatmir Sejdiun, Skënder Hysenin, Lutfi Hazirin dhe Blerim Shala, derisa kanë përmendur edhe Martti Ahtisaarin, që ishte i dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

Ambasadori ka thënë se në këtë darkë kanë folur edhe për të ardhmen e Kosovës.

“Me kënaqësi prita disa miq të vjetër të “Ekipit të Unitetit” të Kosovës, negocatiorë në bisedimet e Vienës të vitit 2006/2007, për një darkë ribashkimi. Derisa rikujtuam të kaluarën, udhëheqjen e shkëlqyer të Martti Ahtisaarit dhe arritjet e shumta të Kosovës, u fokusuam në dëshirën e përbashkët që Kosovës t’i sigurohet e ardhmja Evropiane dhe Euro-atlantike.”, ka shkruar Hovenier.

Ahtisaari ishte i dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i ngarkuar për organizimin e negociatave të procesit të statusit të Kosovës, që kishin për qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë në Kosovë, e cila më vonë e shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.

“Ekipi i Unitetit” negocionte me një palë nga Serbia nën ndërmjetësimin nga “Grupi i Kontaktit” në të cilin bënte pjesë edhe Marti Ahtisaari. Në to bisedohej për statusin final të Kosovës, por ato dështuan pasi pala serbe nuk pajtohej me propozimet. Këto bisedime i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Kosovë më 2008.

Komento: