Ambasadori francez s’lëshohet në detaje lidhur me planin franko-gjerman

20:22 | 11 Nëntor 2022

Plani franko-gjerman, ambasadori francez s’lëshohet në detaje.

Të enjten, kur ndodhi takimi në Paris mes presidentit francez Emmanuel Macron me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ishin këta dy të fundit që dhanë detaje.

Kurse të premten, një gjë të tillë e bëri ambasadori francez në Prishtinë, që dha versionin e shtetit të tij për bilateralen në pallatin Elysee.

“Është diskutuar situata dhe tensionet që kanë ngjarë në veri të Kosovës. Franca thërret për përmbajtje dhe sens të përgjegjësisë nga ana e të gjithë aktorëve. Ka ardhur koha që tensionet të zvogëlohen e jo të ngrihen”, tha Oliver Guerot.

Ai shton se ka shumë thashetheme për planin gjermano-francez për një marrëveshje të mundshme Kosovë- Serbi.

Sipas diplomatit, deklaratat e ndryshme që janë bërë nga vende të ndryshme përreth planit nuk e ndihmojnë fare atë.

“Kur vjen puna te rezultati konkret unë s’mund të ju them shumë në këtë fazë. Ka një kohë kur ne do të dalim publikisht dhe ka një kohë për të biseduar në mënyrë diskrete dhe më duket se akoma jemi në këtë stad”.

Ambasadori ka shtuar se Franca është në favor të liberalizimit të vizave për kosovarët dhe se diskutimet teknike vazhdojnë nga të cilat presin vendim të favorshëm.

Ai konfirmoi se presidenti Macron i tha presidentes Osmani më 23 qershor, se republika franceze është për heqje të regjimit të vizave, por se janë disa masa përcjellëse që duhet të realizohen.

Komento: